Lista e Kombëtares/ Tre regjisorë për skenarin e serialit “mision i pamundur”, kërkojnë fundin e lumtur

Nga Klaudio Ndreca

“Mision i pamundur” quhet seriali që do të vendoset në skenë për herë të parë në datën 25 mars. Seria e parë për Kombëtaren Shqiptare dhe gjithçka do të xhirohet në Andorrë, përpara se të vijë kulmimi i “Air Albania” me Anglinë.

Në lojën e futbollit janë me rëndësi të madhe të gjitha repartet, por pika kyçe është mesfusha që bën lidhjen mes mbrojtjes dhe sulmit. E në këto vite të fundit Kombëtarja ka vuajtur për fantazistin që të jetë gjithmonë aty si regjisori kryesor për të ngritur peshë zemrat e tifozëve dhe për t’i dhënë më shumë mundësi sulmit.

Shumë emra janë përmendur, shumë “talente” që vijnë e ikin, por gjithmonë përplasemi te shpatullat e 34-vjeçarit Ledian Memushaj. Madje shpeshherë i kemi treguar “derën” vlonjatit duke pretenduar se e kemi gjetur “regjisorin” e ri. Por në të gjitha rastet fraza: “Ledian futu në fushë” rezulton si shpëtimi i Kombëtares. Përpos muskujve dhe grintës që nuk ka munguar kurrë te mesfusha e Shqipërisë, në listën e re të Rejës dallojmë dy emra që duhen veçuar.

Nedim Bajrami vjen për të marrë pikërisht rolin e organizatorit të aksioneve sulmuese, ndërsa pritshmëritë për mesfushorin e ardhur nga Zvicra janë të larta. Gjithashtu edhe Sherif Kallaku vjen këtë herë për të demonstruar të gjitha aftësitë e tij, ku ndryshe nga e kaluara, nuk ka më vend për fjalën “ambientim” dhe kohë.

Këta pritet të jenë dy regjisorët e rinj të Shqipërisë, ndërsa sa herë që do të kenë momente të vështira dhe ngecje në lojën e tyre, Ledian Memushaj do të jetë gjithmonë aty duke veshur fanellën për të dhënë kontributin e tij për Shqipërinë. Seriali quhet “misioni i pamundur” në rrugën drejt Botërorit, por lojtarët kuqezinjë do të kërkojnë që të kemi një mbyllje me fund të lumtur. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *