Me origjinë nga Kumanova e Maqedonisë, por lindur dhe rritur në Belgjikë, mesfushori i talentuar i Standard Liezhit shprehet i hapur për t’u veshur kuqezi, teksa nga FSHF ende asnjë thirrje… Belgjika e mban nën vëzhgim!
Adnan Januzaj është harruar nga shqiptarët, edhe pse shpesh emri i tij irriton, pas asaj që ndodhi në të shkuarën dhe sidomos pretendimet e të atit dhe ndërhyrja e tij për t’i prishur ëndrrën dhe ndoshta karrierën… Sot, Januzaj është pa kombëtare, teksa mund të bashkohet me Kosovën, edhe pse sigurisht që ëndrra e tij mbetet Belgjika, por vetëm një ëndërr…
Një histori ndryshe sapo ka nisur të shkruhet dhe bëhet fjalë për një mesfushor 19-vjeçar që është duke shkëlqyer me të rinjtë e Standart Liezhit dhe që ishte pjesë edhe i ekipit të parë në fitoren e Kupës së Belgjikës, me rezultatin 1-0 në stadiumin “Mbreti Boduen”. Edhe pse nuk luajti asnjë minute, festimin e fitores e bëri në mënyrë të veçantë, duke dëshmuar origjinën, pra me flamurin me shqiponjë. Në një intervistë të dhënë për mediat, ai u shpreh: Fitorja në kupë ishte objektiv i klubit, pasi tani kemi siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Europës.
Unë nuk luajta, isha në pankinë dhe prisja rastin. U gëzova që fituam kupën. Isha mjaft i emocionuar. Është trofeu im i parë me Standardin. Pas përfundimit të ndeshjes mora flamurin kombëtar dhe festova në fushë. Ishte një mbrëmje e paharrueshme”, tha mesfushori që luan me grupmoshat e Belgjikës, teksa ka qenë edhe pjesë e U-19. “Me Shqipërinë kemi pasur kontakte më herët, ndërsa muajt e fundit jo.
Tani jam i përqendruar te Standardi. Cilën kombëtare do të zgjidhja? Unë kam vetëm shtetësi belge. Maqedonia nuk më intereson, por vetëm Shqipëria, ose Belgjika. Mirëpo, tani nuk mund të them asgjë, sepse nuk kam folur me trajnerin e ekipit U-21, as me trajnerin e kombëtares së Shqipërisë”.