Lilaj: Kemi mentalitet kampioni, rivalë mbeten Flamurtari e Kukësi

Mesfushori i Skënderbeut, Sabjen Lilaj, thekson se skuadra ka forcën për të shkuar te titulli dhe se do të dijë të motivohet për të dhënë gjithmonë e më shumë

Leonard Trebicka

Me 9 pikë diferencë nga vendi i dytë dhe me ruajtjen e grupit të futbollistëve (të paktën deri tani), të gjithë mendojnë se Skënderbeu po ecën i sigurt drejt titullit kampion. Skuadra e trajnerit Ilir Daja është stërvitur fort në Turqi, ku ka luajtur dhe katër ndeshje miqësore, që në këtë periudhë shërbejnë shumë. Mendimi i përgjithshëm është se gjithçka ka shkuar mirë, aq më tepër që ekipi është forcuar me Emiljano Vilën dhe Blerim Krasniqin, por a do të shohim sërish atë Skënderbeu të uritur dhe të motivuar për të shkuar te titulli kampion? Përgjigjen e jep për Sport Ekspres një nga titullarët kyç në formacionin e korçarëve, Sabjen Lilaj, i shpallur lojtari më i mirë i vitit 2017.

GJENDJA Për gjendjen aktuale të ekipit, pas kthimit nga Turqia, futbollisti korçar është shprehur: Jemi mirë përgjithësisht, edhe pse fazën e nisëm jo ashtu si duhet në Turqi. Në miqësoren e parë patëm vështirësi, por më pas gradualisht e morën veten. Jemi stërvitur mirë dhe them se kemi marrë atë që duhet në përgatitjet që bëmë në Turqi. Por nga Skënderbeu pritet gjithmonë e më shumë, kështu që duhet tu përgjigjemi pritshmërive.

AFRIMET Jemi përforcuar me dy lojtarë në merkaton e dimrit, me Vilën dhe Krasniqin. Vilën e kam shok dhe e njoh shumë mirë, jo vetëm unë, por të gjithë sportdashësit në vend. Është një lojtar me përvojë, që do të na ndihmojë, kurse Krasniqin nuk e njihja dhe kam parë që është një lojtar i ri me talent dhe potencial. Përderisa na janë shtuar dy lojtarë cilësorë, do të jemi edhe më të fortë.

9 PIKË DIFERENCË A mund të na dëmtojë kjo diferencë pikësh me rivalët, duke na përgjumur? Unë them se jo, sepse Skënderbeu ka lojtarë me shumë përvojë, të cilët do të dinë të gjejnë motivimin për të bërë gjithmonë e më shumë në ndeshjet e kampionatit. Kemi mentalitetin e duhur si klub dhe si ekip, kështu që do të jemi po aq të fortë, pse jo edhe më mirë.

RIVALËT Pas ndryshimeve që skuadrat kanë bërë në merkaton e dimrit, nuk është se i kemi parë rivalët tanë. Thjesht kemi dëgjuar dhe kur të luajmë me ta do të shprehemi më mirë. Por mendoj se rivalët tanë do të jenë Flamurtari dhe Kukësi. Gara do të vazhdojë kështu si jemi tani në renditje deri në fund, ne dhe dy ekipet që përmenda, por shanset i kemi të mëdha që të shkojmë te titulli kampion. Kemi ruajtur grupin dhe jemi forcuar, plus që kemi mendësinë e duhur si ekip, siç e thashë më lart.

OFERTAT Nuk ka asgjë të re nga sa është thënë më parë. Mund të përmenden shumë emra ekipesh, por gjithçka varet nga ofertat konkrete për ne, që i di klubi. Për këtë pjesë mendon klubi dhe ne lojtarët bëjmë punën tonë në stërvitje dhe në ndeshjet e kampionatit.

JASHANICA Nuk di çfarë të them, sepse edhe vetë Jashanica ka thënë më parë se do të largohet. Për ne lojtarët e Skënderbeut është fat që e kemi në ekip, sepse është pjesë e rëndësishme e jona. E ndihmon shumë ekipin, pastaj për çështjen e tij personale do të uroja të shkonte në një ekip sa më të mirë jashtë vendit, – ka thënë mes të tjerash Lilaj, i cili është i bindur se skuadra do ta nisë aty ku e la kampionatin, duke ecur në vazhdën e fitoreve dhe duke iu afruar gjithmonë e më tepër titullin kampion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online