Humbja 3-0 në Laç kishte vendosur shumë, në mos gjithçka. Ndonëse para ndeshjes nuk e pranonte, trajneri i Luftëtarit Hasan Lika tregoi qartë se nuk mendonte më për kupën, duke parë formacionin që hodhi në fushë kundër Laçit në ndeshjen e kthimit. Lika shpjegon se kalendari i ndërlikuar në kampionat është problem dhe nuk e lejon skuadrën e tij të sforcohet në maksimum edhe në kupë.
“Nuk luajta me gjithë titullarët, sepse kemi pasur shumë probleme, aq më shumë që vinim nga një ndeshje e vështirë në Durrës, në një terren mjaft të keq. Pavarësisht nga humbja 3-0 në Laç, tentuam deri në fund, aktivizova edhe Bregun, Abazajn e Rrocën, por nuk patëm shumë raste, të cilat nuk mundëm t’i shfrytëzonim. Laçi e meritoi kualifikimin, e uroj për fitoren.
“Lojtarët e stolit? Deri diku pata përgjigje pozitive nga ndonjë futbollist, por nuk ishin aty ku duhet disa të tjerë. Presioni i rezultatit u ndje, por lojtarë si Demo, për shembull, zhvilluan një ndeshje relativisht të mirë.
“Synimi? Është të lëmë pas zonën e ftohtë, nuk kemi pretendime më të mëdha se kaq për momentin. Që këtë fundjavë, të dielën, kemi një ndeshje shumë të vështirë në Laç, si dhe ndeshje mjaft të vështira më pas, ndaj nuk mund të shohim më lart”.