Lika: Kemi dubluar çdo rol, të barabartë dhe me Skënderbeun

Trajneri i Luftëtarit është mjaft entuziast pas ndryshimeve në ekip dhe paralajmëron të gjithë kundërshtarët se do të provojnë forcën e gjirokastritëve

Gëzim Beqiri

Rikthimi i kampionatit rezervon një ndeshje të vështirë për Luftëtarin, që luan me ekipin kryesues. Në fundin e vitit që shkoi skuadra gjirokastritet shfaqi një formë të shkëlqyer dhe për të do të ishte mirë që kampionati të mos ndërpritej. Megjithatë, klubi gjirokastrit ka punuar shumë mirë në merkato dhe pritet një Luftëtar edhe më i fortë. Tani ka një qendërsulmues si Vasil Shkurtaj, por është më i fortë edhe në mbrojtje, ndaj dhe sot ndaj Skënderbeut pritet një rezultat pozitiv.

LIKA – Trajneri Hasan Lika ka dalë dje para gazetarëve dhe ka folur për ndeshjen e sotme ndaj Skënderbeut: ”Kemi zhvilluar një fazë përgatitore mjaft të mirë, falë kushteve të krijuara në stërvitjen dyjavore në Antalia, por edhe këtu në Gjirokastër. Ekipi ia ka arritur qëllimit dhe mund të them se tani jemi gati të ndeshemi si të barabartë me çdo kundërshtar të Superligës, përfshirë këtu edhe Skënderbeun, që për momentin është skuadra më e mirë në kampionat. Pas fazës përgatitore dhe merkatos së dimrit, të gjithë ekipet kanë ndryshuar për mirë, duke u përforcuar me futbollistë të tjerë. Edhe në skuadrën tonë ndoshta janë bërë prurjet më të shumta dhe janë tepër cilësore. Në merkaton e tanishme është afruar një skuadër e plotë me 11 futbollistë. Jo vetëm ata, por të gjithë i konsideroj futbollistë të mirë dhe po kështu e meritojnë të jenë në formacion. Dihet që në fushë do të luajnë 11 futbollistë dhe rëndësi ka që kemi një grup të kompletuar dhe më role të dubluara. Jemi përgatitur të vazhdojmë aty ku e lamë garën, te fitorja. Besoj se do t’ia arrijmë. Nuk është vetëm bindja ime, por e të gjithëve në skuadër dhe jo vetëm ndaj Skënderbeut, por ndaj çdo skuadre tjetër, në fushën tonë dhe jashtë saj. Kudo që do të luajmë, do të dalim në fushë me të vetmin objektiv për të fituar”, – u shpreh trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika.

PREZANTIMET – Përpara stërvitjes së djeshme, që nuk ka vazhduar më shumë se një orë dhe është zhvilluar në fushën e stadiumit për ambientimin me terrenin, është bërë edhe prezantimi i lojtarëve të rinj. Në prani të drejtuesve të klubit, sekretarit Gentian Nora, zv.presidentit Llambro Tavo dhe drejtorit teknik Vangjel Çavo, janë dhënë detaje për lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit, për vëllezërit Shkurtaj, Jakovljeviçin, Liçajn, Athanasopulosin, Mingën, të rinjtë Balla e Bocaj dhe brazilianët Xhekson e Aurelio. Sot pritet të vijë edhe një tjetër futbollist, duke qenë i njëmbëdhjeti i te Luftëtari në merkaton dimërore. Aurel Demo është një 21-vjeçar shqiptar i rritur në Greqi dhe ka arritur marrëveshjen me Luftëtarin. Ai është aktivizuar me ekipin e kategorisë së dytë greke, Panegialos, dukë qenë  titullar me këtë skuadër dhe që luan në linjën e majtë, kryesisht në mbrojtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *