Vendimi për mbylljen e pikave të kumarit, e shoqëruar me një retorikë të fortë në mbrojtje të shëndetit social të qytetarëve nga ana e Kryeministrit, nuk kishte si të mos fitonte gjithë duartrokitjet e publikut të gjerë. Bixhozi është një plagë e hapur e shoqërisë tranzicioniste shqiptare dhe vendimi për t’u shkëputur si me shpatë prej tij ishte si një dhuratë nga qielli blu për shqiptarët. Natyrisht, ajo do të kishte kostot e veta nga pikëpamja ekonomike, duke filluar që nga 8-9.000 të punësuarit, të cilët që prej 1 Janarit do t’iu duhet të kërkojnë një punë të re dhe deri tek 45 milionë Eurot që do t’i mungojnë përfundimisht buxhetit të shtetit. Por zelli ynë për t’i shpëtuar një herë e mirë plagës, është shumë i madh për t’u lëkundur nga efektet negative, kur ato janë vetëm ekonomike. Kështu që një pjesë e madhe e qytetarëve aplikuan miratimin në heshtje të këtyre kostove.
Gjithsesi, nisur dhe nga eksperienca që buron nga historiku i veprimeve të kësaj qeverie, instinkti të shtyn të dyshosh se një dhuratë e tillë pa asnjë “shpërblim” nga mbrapa është një kafshatë pak e vështirë për t’u gëlltitur. Kjo, pasi jemi duke folur për një industri që formalisht prodhon rreth 140 milionë Euro në vit, ndërsa informalisht ajo shkon 500 milionë e ndoshta më. E pra fshirja si me gomë e këtyre lekëve, nga kjo qeveri, duket tepër e bukur për të qënë e vërtetë.
Dhe instikti ka gjithmonë të drejtë. Nëse analizohet në detaje ajo që do të ndodhë, kuptohet që e vërteta është ndryshe nga ajo që, ne duartrokitësit, guxuam të ëndërronim se po ndodhte.
Kryeministri, në fjalimin e tij, përmendi faktin që tashmë e gjithë industria e bixhozit do të transferohej nga pikat e basteve që gjenden kudo nëpër qytetet shqiptare, në versionin online të basteve. Kjo me qëllimin largimin e pikave të bastit nga sytë e njerëzve të thjeshtë, fëmijëve dhe individëve me varësi patologjike ndaj bixhozit. Por nëse i referohemi praktikës aktuale të operimit me bastet online, kuptojmë që transferimi i basteve nga pika fizike në baste online, nuk bën gjë tjetër veçse e rrit prezencën e industrisë së basteve tek qytetari. Dhe kjo ndodh në dy forma.
E para është shtrirja e industrisë së basteve, e cila do të ikë nga pikat aktuale që janë të destinuara dhe të reklamuara si pika basti dhe do të transferohet në çdo njësi shërbimi, bar, lokal, restorant, qendër tregtare etj.. Kjo sepse shndërrimi i një njësie të tillë shërbimi në një pikë virtuale bastesh është shumë e thjeshtë, mjafton një kompjuter me internet dhe një llogari pranë kompanisë së basteve online. Dhe në atë moment bari, lokali, restoranti sapo u kthye në një pikë bastesh ku çdokush që pi një kafe, është duke bërë shopping apo konsumon një drekë apo darkë do ta ketë aty pikën e bastit, dhe mund të vendosë baste shumë lehtë pa iu dashur ta ndërpresë aktivitetin që po kryen, thjesht t’i thotë kamerierit apo shitësit më vendos këtë bast dhe të paguajë paratë në dorë. Më pas, nëse fiton, kamerieri ia paguan fitimin përsëri me para në dorë ndërsa vetë paratë i kalohen në llogarinë që bari apo lokali ka hapur pranë kompanisë së basteve online.
E dyta është teknologjizimi i shoqërisë i cili do të katalizojë procesin e përhapjes së pikave të bastit. Çdokush që ka një smartphone do të ketë një “pikë basti” në xhep. Dhe mos harrojmë që sot smartphone-ët janë shtrirë pothuajse në nivel mbi 70% të popullsisë dhe shumë shpejt do të shkojnë në nivel 100%, pasi me kalimin e viteve modelet e vjetra të smartphone-ve do të kushtojnë aq lirë saqë të gjithë do të pajisen me një të tillë.
Pyetja që shtrohet është: – Nëse nuk bëhet për zvogëlimin e aktivitetit të basteve, për çfarë bëhet? Përse qeveria ndërmori një nismë të tillë që do të ketë pasoja social-ekonomike të forta, pasi bëhet fjalë për rreth 10.000 familje që prej 1 janarit do të kenë një të ardhur me pak dhe për rreth 45 milionë euro që do t’i mungojnë buxhetit të shtetit?
Djalli fshihet në detaje, thuhet me të drejtë. Sot që po flasim licencën për organizimin e basteve online e ka vetëm një kompani, Bastarena e cila është një kompani mikse, turke dhe e regjistruar në ishujt Guraçao. Nëse kompani apo individë të tjerë do të dëshironin të përfitonin licencën e basteve online, sipas përcaktimeve te ligjit 155/2015 për lojërat e fatit, të gjithë e kanë të pamundur, pasi në kuadrin e masave, Kryeministri me një VKM të datës 9 Tetor ka pezulluar aktivitetin e AMLF me një afat të pacaktuar. Por AMLF është agjencia përgjegjëse për licencimin e bizneseve të lojërave të fatit dhe gjendja e saj e pezulluar, pezullon automatikisht dhe licencimin e subjekteve të reja si organizatore bastesh online. Dhe fakti që në datën 9 tetor që u miratua në qeveri projekt-ligji i cili iu ndalonte aktivitetin basteve sportive, po në datën 9 tetor del dhe vendimi për pezullimin e aktivitetit të AMLF për një periudhë kohe të pacaktuar, tregon se kjo është një çështje e orkestruar e cila nuk bëhet për të ndaluar/minimizuar/reformuar aktivitetin e basteve sportive. Ky është thjesht përdorimi i forcës së shtetit për të krijuar një monopol në fushën e basteve sportive, duke hequr kompanitë aktuale dhe spastrimin e tregut në favor të Bastarenës. Pra është e gjitha një histori korruptive, më e frikshmja e ndodhur ndonjëherë që nuk ka lidhje me të mirën e shqiptarëve as në frymë dhe as në germë, por thjesht me përfitimet personale të ca njerëzve të afërm të pushtetit, të cilët do të gllabërojnë tregun e stërmadh të basteve duke ua futur dhe më shumë duart në xhep shqiptarëve.
Prandaj të gjithë ne që duartrokitëm, le t’i kthejmë duartrokitjet mbrapsht dhe t’i fusim duart në xhep t’i ruajmë ato.
Shkrim nga Panajot Soko, publikuar në www.monitor.al