Një incident i shëmtuar ka ndodhur para ndeshjes mes Tiranës dhe Partizanit. Përplasje mes tifozerivë rivale, që me sende të forta dhe flakadanë, kanë pasur konfrontime fizike përpara kësaj përballje.
Disa persona janë marrë në polici, por sipas të gjitha gjasave, kjo do të jetë skena e fundit që ne shohim në këtë derbi. Kjo pasi në datën 8 tetor të vitit 2019 do të futet në zbatim edhe ligji i ri, për të evituar këto situata. Më së shumti e ardhur pas asaj që ndodhi me Kamzën, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me FSHF-në kanë vendosur për zbatimin e këtyre neneve të reja që i dënon tifozët me gjobë dhe burgim në raste të veçanta, po ashtu si edhe drejtuesit e klubeve.
Ligjet në fletoren zyrtare
“Neni 274/a
Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv
Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Neni 274/b
Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive
Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”.