Pas asaj ngjarje të shëmtuar që ndodhi në stadiumin e Kamzës, ku erdhi edhe ndërprerja e kampionatit, ka pasur një reagim të madh. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me organizmin më të lartë të futbollit në Shqipëri, FSHF, kanë ashpëruar masat që skena të tilla të mos përsëriten më.
Kështu, në datën 8 tetor të vitit 2019 do të hyjnë në fuqi ligjet e reja. Sipas tyre, nëse goditet sportisti, trajneri, arbitri apo ndërmjetësi sportiv për shkak të detyrës, atëherë ka burgim nga 1-3 vjet. Nëse bëhet më shumë se njëherë, apo vjen nga drejtues të lartë të klubeve, atëherë rrezikohet deri në 5 vite.
Gjtiashtu kujdes duhet të kenë edhe tifozët, pasi edhe për ta shkruhet për dënime me burgim, nëse hedhin mjetet piroteknike apo sendet e forta mbi lojtarët. /Sport Ekspres/
Ligjet në fletoren zyrtare
“Neni 274/a
Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv
Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Neni 274/b
Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive
Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”.