Shqipëria e vajzave u njoh mesditën e së martës me kundërshtarët që do të ketë përballë në Ligën e Kombeve. Shorti e pozicionoi Kombëtaren kuqezi të vajzave në Grupin B1 së bashku me Irlandën e Veriut, Hungarinë dhe Irlandën.
Ndërkaq, UEFA ka përcaktuar edhe kalendarin e ndeshjeve për Grupin B1 duke zbardhur kështu edhe rrugën e vajzave kuqezi në këtë aventure të re në kompeticionin e rëndësishëm europian. Shqipëria e teknikut Armir Grima do ta nisë fushatën e saj në shtëpi ndaj Hungarisë më 22 shtator, ndërsa katër ditë më pas do të luajë kundër Irlandës së Veriut në transfertë.
Në muajin tetor, Kombëtarja e vajzave do të luajë dy sfidat e radhës, ku më 27 tetor, Shqipëria do të udhëtojë drejt Irlandës, për t’u kthyer në shtëpi më pas, ku më 31 tetor do të përballen sërish me përfaqësuesen irlandeze.
Viti 2023 për Shqipërinë e vajzave do të mbyllet në muajin dhjetor, ku me datë 1 do të presë Irlandën e Veriut në shtëpi, ndërsa e mbyllin këtë fushatë ndeshjesh më datë 6 dhjetor në transfertën e Hungarisë.
Liga e Kombeve për vajza 2023-2024
Kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë së vajzave në grupin B1:
22/09/2023 Shqipëri – Hungari
26/09/2023 Irlandë e Veriut – Shqipëri
27/10/2023 Irlandë – Shqipëri
31/10/2023 Shqipëri – Irlandë
01/12/2023 Shqipëri – Irlandë e Veriut
06/12/2023 Hungari – Shqipëri