Licencimet e ekipeve shqiptare në Europë/ “Tirana e ka të plotë dokumentin”, flet shefi i sektorit: Ja se kur do të vijë përgjigja

Teksa jemi në pritje të rinisjes së futbollit shqiptar, klubet tona janë duke pritur gjithashtu edhe përgjigjen nga UEFA sa i përket aplikimeve të bëra për licencimin në Europë. Përveç skuadrave të Superiores, ka qenë edhe Apolonia ajo që ka dërguar dokumentat në organizmin më të lartë të futbollit europian, pasi është në Kupën e Shqipërisë dhe pretendon ngjitjen në elitë.

Një gjë të tillë e ka pohuar shefi i sektorit të Licencimeve në FSHF, Eduart Gjini. Në një intervistë për “Syri TV” jepet edhe koha se kur do të vijë përgjigja e UEFA-s, duke thënë se do të mbyllet brenda kësaj jave. Kur flitet për Tiranën, Gjini siguron se dokumentat e bardhebluve kanë qenë të plota, megjithëse duhet të presim ende për verdiktin e fundit.

“Klubet shqiptare i kanë plotësuar katër kritere, përveç atij financiar dhe dokumentacionin e kanë dorëzuar në UEFA. Përveç 10 klubeve të Superiores, për të marrë licencën kanë aplikuar edhe Apolonia e Kategorisë së Parë dhe dy ekipe femrash. Brenda javës komisioni i licencimit në UEFA do të marrë vendimet për secilin klub. Mund të jap me garanci që dokumentacioni i klubit të Tiranës është i plotë. Tirana ka bërë përmirësime të dukshme, por është Komisioni ai që do të vendosë nëse Tirana do ta marrë apo do t’i refuzohet licenca.

Të gjitha klubet e Superiores kanë aplikuar për licencën, pasi do t’u duhet jo vetëm për të luajtur në Kupat e Evropës, por do t’u duhet që të luajnë edhe në kompeticionit në vend”, tha Gjini. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *