Lëvizje e papritur te AF Elbasani! Ivan Gvozdenovic nuk do të jetë më trajner i verdhebluve, pasi, sipas raportimeve të fundit, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës pas humbjes së fundit në kampionat.
Elbasanasit u mposhtën me rezultatin 2-1 nga Skënderbeu në Korçë, një rezultat që duket se ka sjellë zhvillime të menjëhershme brenda klubit. Lajmi është befasues, pasi vetëm pak orë më parë trajneri serb ishte shfaqur i qetë në prononcimin për mediat, duke shprehur besimin se skuadra do të përmirësohej në ndeshjet e ardhshme.
Megjithatë, situata ka marrë një tjetër drejtim dhe Gvozdenovic raportohet se është larguar nga detyra. Trajneri serb ishte pjesë e Elbasanit që prej dhjetorit të vitit 2024. Largimi i tij përbën një zhvillim të rëndësishëm për verdheblutë, të cilët tashmë mund të detyrohen të kërkojnë një zgjidhje të re për pankinën. /Sport Ekspres/