Anorthosis Fagamusta triumfoi kundër Laçit dhe normalisht që kjo i gëzon qipriotët. Pas ndeshjes, tekniku Roni Levi vuri në dukje problemet e skuadrës së tij dhe pret lojtarë të tjerë në skuadër.
“Pësuam një gol nga një goditje këndi, por më pas i rregulluam gjërat. Nuk ishim të përqendruar mbrapa. Gjithsesi pozitive është që përmbysëm në fund. E dimë që ndeshja e parë e sezonit ka rëndësinë e vet. Kemi bërë vetëm gjysmën e punës dhe presim të kualifikohemi për në raundin tjetër”, ka thënë fillimisht izraeliti para medieve.
Qipriotët ndryshuan në lojë në pjesën e dytë dhe Levi nuk tregon se çfarë u tha lojtarëve, të cilët e përmbysën ndeshjen. “Kishim shumë presion kur pësuam golin. Nuk dua të tregoj çfarë fola me lojtarët në pushim. Nuk dua të justifikohem, por sot kishim tre lojtarë që na mungonin. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe që di të mbrohet, por na duhen edhe katër transferime të tjera”, përfundoi tekniku i Anorthosis.