Trajneri i Gjermanisë Joakim Lëv thotë se për skuadrën e tij do të jetë më e vështirë të fitojë titullin në Rusi, sesa ishte në Brazil.
Skuadra e fundit që ka fituar dy herë rresht Kupën e Botës ishte Brazili në vitin 1962 dhe Lëv thotë që “hera e dytë është edhe më e vështirë”.
“Ne jemi ndër favoritët e mëdhenj, ashtu si Brazili, Argjentina e Franca, por nuk do të jetë e lehtë, përkundrazi”, u shpreh trajneri gjerman pas shortit.
Gjermania do ta nisë me Meksikën dhe më pas do të luajë kundër Koresë së Jugut dhe Suedisë, me këtë të fundit që shpreson të ketë edhe Zllatan Ibrahimoviçin me vete, ndërsa Lëv thotë: “Më pëlqen Ibra, është një ndër sulmuesit më të mëdhenj të gjithë kohërace dhe shënon gola të pabesueshëm, ndaj do të ishte e bukur nëse do të vinte në Rusi”.