Partizani do të ketë përballë Bylisin në fundjavë, për të vazhduar ndjekjen e Tiranës që momentalisht kryeson renditjen Superiores. Mbi këtë takim ka folur edhe trajneri i të kuqve, Lerda, i cili vlerëson kundërshtarin maksimalisht. Trajneri italian është ndalur edhe në çëshje të tjera si Asani dhe Tirana.
Përsa i përket futbollistit, i cili u largua i nervzuar nga fusha ndeshjen e fundit,Lerda ka thënë se vendos për atë që sheh në fushën e lojës dhe nuk humbet kohë për vendimet që ai merr.
Ndërsa për kundërshtarët e tyre më të mëdhenj, Tiranën, është shprehur se nuk kanë pse t’i druhen edhe pse i përgëzon për paraqitjet e bëra deri tani.
“Për sa i përket formacionit, sigurisht që mund të ketë disa ndryshime. Por, më parë duhet të vlerësoj gjendjen fizike të lojtarëve duke ditur që kemi zhvilluar një ndeshje në Kupë. Gjithçka do ta vlerësoj ditën e nesërme sepse sot kemi kryer seancën e fundit stërvitore dhe mendoj që diçka mund ta ndryshojë në organikë. Bylis nuk është aspak i lehtë. Ka vlerësimin maksimal tonin. E kam ndjekur me vëmendje në dy takimet që kanë zhvilluar si ndaj Skënderbeut, ashtu edhe ndaj Kukësit. Do të kërkoj nga skuadra ime të jetë mjaft agresive.
Është një skuadër që vrapon shumë, por ne duhet të kemi qetësinë e duhur. Të jemi të qetë dhe në fund të marrim 3 pikët. Nuk mendoj, nuk më intereson se çfarë flitet rreth zëvendësimit të Asanit për vendimet që unë marr. Unë vendos në bazë të asaj që shoh në fushën e lojës. Kështu që s’mund të humbas kohë apo energji për vendimet që unë marr. Mendoj që harmonia është shumë e mirë. Besoj se diçka e tillë ndodh në gjithë ekipet e tjera. Në skuadrën tonë ka lojtarë shqiptarë, lojtarë amerikano-latinë.Ne mundohemi të punojmë në mënyrë që harmonia dhe grupi të funksionojnë sa më mirë.
Nuk është kusht që të fitojmë domosdo ndeshjen e nesërme kundër Bylisit pasi absolute nuk ka në futboll. E mira është që të impenjohemi në maksimum për të bërë më të mirën në takimin ndaj Bylisit. Melo është bashkuar me grupin. Mendoj se ka kaluar problemet që ka pasur disa ditë më parë. Mendoj se do të jetë në dispozicion të skuadrës.
Nuk kemi pse t’i druhemi Tiranës.Kam parë vetëm një pjesë loje të ndeshjeve të saj. E kam ndjekur vetëm një ndeshje në stadium Tiranën. I kam sjellë fat Tiranës pasi në atë ndeshje ka fituar 3-0 kundër Luftëtarit. Duhet ta përgëzojmë për çfarë ka bërë deri më tani pasi gjendet aktualisht në vendin e parë. Akoma s’kam krijuar një mendim të qartë për ta. Objektivi ynë është ndeshja e nesërme kundër Bylisit”, ka thënë Lerda. /Sport Ekspres/