“Leon Dajaku ishte shumë negativ”! Gatuzo flet hapur se pse e përjashtoi shqiptarin: Më mirë humbas ndeshjen sesa të fus atë lojtar në fushë

Gatuzo mban të njëjtin temperament si trajner, ashtu si edhe në kohën kur ishte futbollist. Trajneri ka marrë një vendim drastik duke përjashtuar Leon Dajakun nga stërvitja dhe nga ekipi. Futbollisti shqiptar duhet të gjejë një tjetër skuadër në janar, ndërsa kohë më parë kur luante në nivele më të larta refuzoi Shqipërinë dhe Kosovën pasi priste Gjermaninë.

Një muaj më parë Gatuzo vendosi që ta falte një veprim jo profesional të Dajakut, i cili reagoi keq në fushë kur u zëvendësua nga trajneri. “Kjo është hera e fundit, tani duhet të paguash darkën për ekipin”, tha Gatuzo.

Megjithatë Leon Dajaku nuk i është përmbajtur premtimit dhe ka vazhduar sërish me sjelljen e keqe, ndërsa Gatuzo nuk e toleroi më. “Dua të tregoj pak se çfarë ka ndodhur me Leon Dajakun dhe Benrahoun. Kam shumë vite në këtë punë, fanella dhe stema e Hajdukut meritojnë respekt. Ata duhej të ishin gati për të dhënë ndihmesën e tyre në çdo kohë. Nuk duhet të merret Dajaku dhe Benrahoun me vendimin e formacionit, se kush duhet të luaj dhe se kush jo. Sjellja e tyre ishte e tillë që nuk e respektonin ekipin. Ajo që nuk më pëlqen fare te lojtarët është negativiteti, ata ishin shumë negativë. Ka të tjerë që janë negativë, por jo kaq shumë sa këta.

Prandaj më mirë fus djemtë e rinj 15 vjeç, sesa këta lojtarë negativë. Nuk do të ketë nga këta futbollistë për sa kohë unë jam këtu. Rrogat vijnë rregullisht, ndërsa veprimet e tyre janë të papërgjegjshme. Duhet të gjejnë ekip tjetër, nuk kanë më vend këtu. Më mirë humbas një ndeshje se ti fus dhe të humb dinjitetin”, tha Gatuzo. /Sport Ekspres/