Leksione falas për të gjithë botën e futbollit vjen nga Cagliari. Po, po! E lexuat mirë, Cagliari. Ndoshta mund të duket një skuadër modeste në Serinë A, por figurën e saj e ruan në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në humbjen e fundit ndaj Interit me rezultatin 1-2, Lukaku do të gjente golin e fitores falë pikës së bardhë të penalltisë. Përpara ekzekutimit të saj, për të shpërqendruar këtë sulmues nisën shumë kore racizmi nga disa mbështetës të Cagliarit që gjendeshin përballë tij.
Qëllimi u arrit deri diku, pasi erdhi edhe kundërpërgjigja e Lukakut, por gjithsesi topi përfundoi në rrjetë. Një reagim brilant dhe për notën “10” ka ardhur nga Cagliari mbi këtë incident, që nuk ka nevojë për më shumë zgjatje:
“Klubi i Cagliarit distancohet menjëherë nga kjo sjellje, por edhe episodi i mjerueshëm që ndodhi në arenën “Sardegna” gjatë ndeshjes Cagliari-Inter. Klubi konfirmon edhe njëherë qëllimin e tij për të identifikuar, izoluar dhe përjashtuar nga shtëpia e tij injorantët, edhe nëse është një i vetëm, i cili e bën veten si protagonist të këtyre gjesteve dhe sjelljeve të mjerueshme, në kundërshtim të plotë me vlerat që me vendosmëri, Cagliari vazhdon t’i mbështes me çdo iniciativë.
Kemi parë shumë mbështetës të Interit dhe tifozët tanë që ishin së bashku për të jetuar një mbrëmje të shkëlqyer futbolli. Klubi nuk e pranon se ajo që ka ndodhur mund të minimizohet, por me vendosmëri kundërshtojmë çdo akuzë të shpifur dhe të pakuptimtë që e lidh këtë episod me mbështetësit e Cagliari.
Solidaritet i plotë me Romelu Lukakun, madje edhe shumë angazhim për të zhdukur një nga plagët që prek botën e futbollit dhe më gjerë. Duke ditur se teknologjia nuk është e mjaftueshme, por kërkohet angazhimi i tifozëve të vërtetë, stjuardëve, mediave dhe deri te zbatimi i ligjit nga ana e Seria A League dhe FIGC. Cagliari ju kërkon ndihmë për të fituar një betejë që na shqetëson të gjithëve. Askush nuk është i përjashtuar”. /Sport Ekspres/