Sezoni i ri futbollistik 2024-2025 ka nisur tashmë edhe për lojtarët e Kombëtares shqiptare të impenjuar me klubet e tyre në Europë dhe jo vetëm, teksa disa prej legjionarëve kanë lënë menjëherë shenjën e tyre me gola dhe perfomanca shumë të mira.
Jasir Asani, Mirlind Daku, Arbër Hoxha e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e ri futbollistik. Në kampionatin korean, Asani po shkëlqen me skuadrën e tij Gwangju. Sulmuesi kuqezi në dy ndeshjet e fundit ka shënuar po aq gola, teksa ka treguar edhe një performancë shumë të mirë në fushë, duke qenë lojtari më i mirë për skuadrën e tij.
Në të njëjtën mënyrë ka nisur sezoni edhe për Mirlind Dakun. Në katër ndeshjet e para në kampionat me skuadrën e tij Rubin Kazan, sulmuesi kuqezi numëron tre gola dhe po kalon një formë fantastike.
Arbër Hoxha nuk njeh kufi në kampionatin kroat, teksa e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri me skuadrën e Dinamo Zagreb. Në tre ndeshjet e para në kampionat sulmuesi kuqezi ka shënuar 2 gola, ndërsa në fushë ka shkëlqyer me performancën e tij.
Në Turqi, mesfushori Ernest Muçi shënoi golin e parë në sezonin e ri. Futbollisti kuqezi e nisi nga stoli takimin që Besiktas zhvilloi ndaj Antalyaspor, teksa në minutën e 90+5 realizoi një gol të bukur që vulosi fitoren e dytë në po aq ndeshje në kampionat për skuadrën e Besiktas.
E ka nisur me këmbën e mbarë sezonin e ri edhe Cristian Shpendi. Sulmuesi i talentuar i Kombëtares U-21 debutoi me dy gola në Serinë B italiane. Cesena triumfoi 2-1 ndaj Carrarese dhe golat e Cristian Shpendit i dhuruan fitoren e parë të sezonit skuadrës së Cesenës.
Në javën që lam pas, titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Simon Simoni, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Nedim Bajrami, Keidi Bare, Rey Manaj, Arbnor Muja dhe Myrto Uzuni, ndërsa dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Ivan Balliu dhe Kristjan Asllani.
Forma e mirë e kuqezinjve është një ogur i mirë në prag të ndeshjeve të Kombëtares në muajin shtator, ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë të vlefshme për UEFA Nations League.