Legjenda e Empolit garanton kalimin e Kristjan Asllanit te Interi: Nuk ka frikë, luan në San Siro njësoj si të jetë në futboll lagjesh

Kristjan Asllani është xhevahiri i ri që po i rritet Shqipërisë në Serinë A. Pavarësisht moshës së vogël, mesfushori po luan në elitën e futbollit italian si një veteran i vërtetë. Shumë interesime për këtë lojtar dhe së fundmi është Interi që ka hyrë në garë, duke e parë si pasues të Brozovic.

Ndërkohë legjenda e Empolit, ish-mbrojtësi Francesco Pratali ka garantuar në Itali se Asllani është gati për këtë lëvizje të madhe. Pratali e ka ndjekur që në fillimet e tij mesfushorin shqiptar dhe shprehet se nuk e ka aspak frikë sfidën që e pret në San Siro, madje e krahason se për Asllanin do të jetë si një lojë mes shokësh që zhvillohet në lagje dhe poshtë shtëpisë.

“E kam parë të rritet, ka qenë gjithmonë në këtë shtëpi. Është i lidhur me Empolin dhe na ka dhënë vlera të mëdha. Jam i lumtur për të sepse përveç talentit, është shumë i përulur. I meriton të gjitha këto lëvdata që po merr. Roli më i mirë? Loja klasike para mbrojtjes, shumë i zoti edhe në ndërtimin e lojës. Di të luajë i pari, të luajë shkurtë, lëshon topa të gjatë me të këmbët. Ka pasur gjithmonë një cilësi të madhe dhe tani po e tregon në futbollin e vërtetë.

Kalimi te Interi? Për mendimin tim i ka të gjitha mundësinë për të luajtur në një ekip të madh. Nuk e di nëse sezonin tjetër, në dy apo tre sezone, por jam i bindur se herët e vonë do të arrijë larg. Përveç aftësive të mëdha, ka edhe një formim tjetër, nuk po flas vetëm për sjelljen. Përshembull, në San Siro luan njësoj si të jetë në sheshin poshtë shtëpisë së tij. Ky aspekt bën dallimin në të bësh mirë në një ekip të vogël dhe ta përsëritësh atë në një ekip të madh. Do të ketë shumë presion, por ai është gati”, tha legjenda e Empolit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *