Ledian Memushaj largohet nga Benevento, pas rënies së skuadrës në Serinë B dhe do të rikthehet te Peskara, skuadra ku shkëlqeu në futbollin italian, e ku deri në sezonin e kaluar ishte kapiten. Mesfushori kuqezi u largua nga abrucezët në formë huazimi në fillim të sezonit të kaluar, për të qëndruar në Serinë A me Beneventon, por aventura ishte e pafat prej dëmtimeve të shpeshta, ndërsa klubi ra nga kategoria.
Sipas marrëveshjes, Benevento kishte detyrimin që ta blinte 31-vjeçarin dhe ti garantonte dy vjet kontratë, por ishte vetë Memushaj ai që hoqi dorë nga kjo klauzolë. Prej disa javësh Memushaj këmbënguli që të kthehet te Peskara, duke qenë se e njeh shumë mirë ambientin dhe qytetin. Një mënyrë për ta ndihmuar skuadrën që të rritë nivelin, për të evituar që të luftojë për mbijetesë, ashtu siç ndodhi sezonin e klauar.
Mesfushori vlonjat numëron 107 ndeshje dhe 19 gola të realizuar me Peskarën nga viti 2014 deri më 2017-ën, ndërsa përpara dy sezoneve festoi edhe ngjitjen në Serinë A me ekipin. Marrëveshja për rikthimin është mbyllur dhe tashmë pritet vetëm që kuqeziu të vendoset nën urdhërat e trajnerit Pilon.