Tefik Osmani, drejtori sportiv i Tiranës, ishte i ftuar në emisionin “Pressing”, në ABC News ku foli për ecurinë e kryeqytetasve në 14 javët e para të Superligës. Sipas Osmanit, skuadra bardheblu nuk është dorëzuar aspak, por mungesat e shumta e kanë penalizuar.
“E nisëm mirë, me një fitore kundër Kukësit në Korçë. Pastaj të gjithë e dinë se kemi pasur shumë mungesa.Tirana nuk është dorëzuar, Vllaznia është me meritë në krye.”- u shpreh Osmani.
Gjithashtu drejtori sportiv i Tiranës foli për Vllazninë, skuadra që po bën surprizën në këtë sezon. Megjithatë sipas mendimit tij, shkodranët po zhvillojnë lojë të bukur, sepse kanë euforinë vendin e parë dhe pritet të shihet reagimi i tyre kur të pësojnë një disfatë ndaj ekipeve të vogla.
“Vllaznia është me meritë në krye. Nuk i kemi parë të bëjmë një hap fals me ekip të vogël dhe të shohim pastaj si reagojnë. Lojën më të bukur e bën Vllaznia? Kur ke pikët dhe je në vend të parë u duhet dhënë merita, bëjnë lojë të bukur apo jo. E kemi parë Vllazninë, por duhet ta shikojmë në një moment që të çalojë me një ekip të vogël mbrapa. Vërtetë e mundën Kukësi e Laçi, por i quan rivalë. Nuk e ka bërë hapin që të lërë pikë me këto ekipet e vogla, sikurse na ka ndodhur ne.”- deklaroi Osmani për “Pressing”. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/