Deputeti i PS-së, Fidel Ylli ishte i ftuar në emisionin sportiv “Paso”. Këtë herë kishte një kërkesë nga ana e Fidelit që i është drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Nuk bëhet fjalë për rikthimin e tifozëve në stadiume apo për kthimin e sporteve të ndaluara gjatë kësaj periudhe, që vetëm këto ditë të fundit e kanë marrë dritën jeshile, por për llotot.
Bastet janë ndaluar që nga janari i vitit 2019 në Shqipëri, duke mos ekzistuar asnjë pikë e tillë, të paktën jo një pikë fizike. Pasi ashtu siç shprehet edhe Fidel Ylli, janë shtuar së tepërmi bastet “e fshehura” ku shteti nuk qarkullon asnjë para.
“Në të gjithë botën ka baste, në Angli ka baste, në Itali ka baste, u bë mirë për momentin që u mbyllën sepse ishin bërë si kërpudha, çdo tre metra një pikë. Tani po funksionojnë ‘underground’ (fshehur nëntokë) shteti nuk merr asnjë para, janë të gjithë në të zezë. Nuk i mbylli dot Enver Hoxha… në kohën e komunizmit kishte baste është dënuar edhe Andrea Marku atëherë për baste, tek lagjia jonë bëheshin hapur.
Kështu që unë mendoj që qeveria duhet ta ketë në vëmendje këtë, unë ja kam thënë edhe kryeministrit. I bëj thirrje kryeministrit dhe nga Top Albania Radio… dhe në bisedë me të sa herë që flas ja përmend dhe i them që janë para që sporti i merr nga të ardhura dytësore”, u shpreh Fidel Ylli. Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Rama po mendon për rikthimin e basteve, por për momentin është i fokusuar në tema më të rëndësishme. /Sport Ekspres/