Nga Klaudio Ndreca
Presidenti i Lacios, Lotito, bëri disa shifra të qarta se përse mbyllja e kampionatit do të ishte një humbje e madhe edhe për taksat që shkojnë në shtetin e Italisë. Ndërkohë që shumë njerëz presin një sinjal edhe nga futbolli për rikthimin në jetën normale, në vendin fqinj ka mendime të ndryshme.
Këtë herë është ish-lojtari i Juventusit, Domenico Marocchino që e gjen shembullin e zgjidhjes në Holandë. Sipas tij duhet të veprohet në të njëjtën mënyrë, ndërsa Skudeto të mos i jepet askujt dhe në Europë të shkohet në bazë të renditjes aktuale.
“Është një rrëmujë e madhe…por ne do të dalim nga kjo. Kampionati? Mirë, unë dua që ne ta ndjekim modelin që na erdhi nga Holanda ku nuk i kaloi titulli Ajaksit. Ne duhet të vazhdojmë të luajmë dhe të flasim për futboll kur të jemi të sigurtë dhe njerëzit të kthehen në stadium”, tha Marocchino. /Sport Ekspres/