Tirana ka arritur që të fitojë edhe kundër Vllaznisë në klasiken e futbollit shqiptar. Ndeshja ka përfunduar me shifrat 1-2 për bardheblutë. Shkodranët e nisën me golin e Aralicës duke prodhuar entuziazëm të madh që në minutën e 7. Latifi kishte shansin e artë për të dyfishuar në të 35, por Bekaj arriti që ta shpërqendrojë dhe topi përfundoi në shtyllë. Kur mbyllej pjesa e parë, kryesuesit barazuan rezultatin me skemën perfektë. Një ekzekutim si skema e De Biazit kur Mavraj i shënoi Francës teksa pas pasimit të shkurtër nga goditja e këndit, Seferi u rrotullua në krahun tjetër dhe u afrua me vijën ndarëse duke e futur topin në qendër, atje ku Ismajlgeci nuk gaboi.
Ishte Mustedangac që në minutën e 70 goditi mrekullisht nga goditja e dënimit, por Bekaj si një “Spiderman” gjeti cepin për të evituar golin. Në të 69 ishte Hoti që vulosi fitoren. Nga krahu tjetër një ndeshje e çmendur u prodhua te Partizani-Egnatia që përfundoi me shifrat 2-2. Pas golit të parë të Shytit, Partizani barazoi me Junior në të 60. Marku do të ndëshkohej me karton të kuq vetëm katër minuta më pas ndërsa Shtubina dha goditjen e papritur në të 86. Si për të rënduar më tepër gjendjen, Bitri mori karton të kuq në të 90 duke lënë Partizanin me 9 lojtarë. Në fund ishte sërish Junior që barazoi me Egnatian që del e humbur edhe me barazimin e marrë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Hafizi: “Nuk duhet të bëhet rrugë kjo tani te Vllaznia. E nisin mirë, gjejnë avantazhin, humbasin penallti dhe përmbysin nga rivalët. Unë dua ta di, çfarë ndodh kur shkojnë në dhomat e zhveshjes? Kjo është përgjegjësi direkte e Brdaric. Sa i përket Latifit, nuk di të godasi penalltinë si duhet. Edhe kur ka shënuar gol, nuk godet në mënyrën e duhur, zakonisht portierët vendosen keq. Por ne që e njohim futbollin e shohim se Latifi nuk e ka ekzekutimin e duhur. Nëse Tirana e përmbys kështu Vllazninë më bën të besoj se ajo ndeshja 0-0 mes tyre paska qenë rastësi”.
Brdaric: “Urime për Tiranën. Mendoj se merituam më shumë dhe vuajtëm pas humbjes së penalltisë, kjo ishte pika kyce e ndeshjes. Nëse ndeshja do të kishte shkuar 2-0, do të ndryshonte historia. Të paktën duhej të kishim marrë një pikë. Fusha ishte në gjendje të tmerrshme dhe kjo na ndaloi për të luajtur një futboll të bukur. Disa gjëra mund t’i bënim më mirë”.
Ramadani: “Është e vështirë të gjesh koment dhe fjalët e duhura për golin e dytë që na shënoi Partizani, kur ishin me 9 lojtarë. Nuk të duhet trajner apo këshilla për mënyrën sesi duhet të menaxhosh minutat e fundit. Një pikë e marrë sot me Partizanin mund të duket mirë, por në fund mund të na kushtojë shumë shtrenjtë. Kemi humbur dy pikë sot, nuk kemi fituar një pikë. Lojtarët e Egnatias menduan se gjithçka mbaroi me fitoren tonë”.
Shehi: “E rëndësishme nuk është ajo që ndodh, por mënyra sesi ti reagon kur ndodh diçka. Pas golit të pësuar kemi qenë në ekuilibër. Ne mund të flasim, të ndryshojmë modul, por është cilësia e lojtarëve që ne jemi këtu, merita u takon atyre. Gjithashtu edhe skemat që dalin është interpretimi i duhur i lojtarëve. Ne ndryshuam modul gjatë lojës dhe kur dolëm me 4-3-3 tonë klasik, gjithçka shkoi si duhej. Nëse do të them se i dhashë indicie Bekajt për penalltinë e Latifit do të merrja meritat unë. Porositë janë të pranishme, por ishte merita e Bekajt për mënyrën si rri në portë dhe presioni që i vendos kundërshtarit”.
Mehmeti: “Ajo që druhesha më shumë ndodhi. Duhej të ishim më cinik në pjesën e parë, më agresiv. Kemi pasur probleme në mbrojtje si skuadër, si grup. Ar.ma më e fortë na ndëshkoi, sidomos në golin e parë që u ndëshkuam për neglizhencë. Në pjesën e dytë ishim më mirë, por mbaj përgjegjësinë për pjesën e parë që nuk ishte si duhet. Më shqetëson edhe mua fakti se Junior luan më mirë kur hyn nga stoli. Nuk jam i kënaqur për sot edhe pse barazuam me 9 lojtarë. Nuk dua të merrem me arbitrat, por kur nxjerrin fare lehtë kartonin e kuq për një lojtar të Partizanit duhet ta nxjerrin edhe kur kundërshtarët godasin lojtarin e Partizanit, si ndodhi edhe në derbi, madje edhe pa top. Ndërhyja e Bitrit ishte te topi, nuk ishte brutale. Kishte në formacionin e 11 titullarë disa lojtarë që nuk duhet të jenë”.