Presidenti i Laçit është “vullkan”: “Kjo është çështje prokurorie, kush është fajtor të mbajë përgjegjësi, deri te burgu. Mziu është person me pushtet dhe drejtues klubi, duhet të tregojë gjithçka”
Presidenti i Laçit, Pashk Laska, nuk reagoi herën e parë, kur Xhelal Mziu parashikoi se Laçi do mundej nga Teuta në Durrës, por këtë radhë nuk gjen qetësi. Laçi i tij u mund në Shkodër, në një ndeshje mjaft të luftuar, por gjithçka u njollos nga një parashikim i kryebashkiakut të Kamzës, i cili deklaroi ditën e ndeshjes se Vllaznia do të fitonte 1-0. Kjo ka bërë që Laska tashmë të reagojë ashpër, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit dhe prokurorisë, pasi kjo histori nuk mund të kalojë si shumë të tjera, ku flasim të gjithë dhe nuk dëgjon askush, ndërsa në fund populli i thjeshtë del në përfundimin që futbolli shqiptar është i tëri i trukuar. “Nëse thuhet diçka e tillë, duhet çuar deri në fund, duhen thënë të gjitha. Ose jam unë fajtor, bashkë me Laçin, ose Mziu të mbajë përgjegjësi”, shprehet Laska.
– Zoti Laska, më shumë se për humbjen në Shkodër, pas ndeshjes u fol për parashikimin e Mziut.
– E saktë, dhe kjo gjë më ka tensionuar më shumë se humbja këto ditë. Si ka mundësi që një person i veshur me pushtet flet në këtë mënyrë? Bëhet fjalë për një president klubi, pronar që ka gjysmën e aksioneve, ndaj a është normale që të flitet kështu në ajër dhe të mos reagojë askush, as prokuroria, as federata, askush? Edhe gazetat nuk është se po merren me një sqarim të plotë të kësaj historie: del një president klubi, lëshon një batutë dhe askush nuk e vazhdon këtë histori, nga e ka marrë informacionin Mziu në lidhje me ndeshjen e Laçit? Përderisa ka hedhur një fjalë, duhet ta argumentojë atë që thotë, jo thjesht ta lëshojë batutën dhe të mbyllet gjithçka. Kjo është çështje prokurorie, nuk u takon as klubeve, as federatës, as medieve ta bëjnë zbardhjen e historisë.
– A do të mbyllet me kaq kjo histori, me deklarata e batuta në distancë?
– Unë e kam paditur në gjykatë Mziun. Klubi i futbollit Laçi ka marrë një vendim për ta çuar çështjen në gjykatë dhe kemi ngarkuar një avokat që ta ndjekë këtë çështje, por nuk mund të shkojmë në Prokurori, që të kërkojmë hetimin e Laçit. Pse nuk shkon zoti Mziu në Prokurori, që të denoncojë Laçin, të japë provat dhe të nisë hetimi, të shohim kush e ka fajin, kush gënjen apo kush ka gabuar. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi: ose ne si klub të mbajmë përgjegjësi për çdo shkelje apo trukim, ose të mbajë Xhelal Mziu për atë që ka thënë. Unë dua që t’i shkohet deri në fund kësaj historie.
– Zoti Mziu nuk pranon të flasë.
– Nuk e di pse nuk flet, unë kam folur që ditën e parë që doli kjo histori. Sapo mbaroi ndeshja në Shkodër mësova çfarë kishte thënë Mziu dhe kam folur hapur, le të flasë edhe Mziu, për mediat dhe mbi të gjitha për Prokurorinë. Duhet të mbaj unë përgjegjësi, sportistët e mi, apo ai që ka thënë që ne kemi trukuar ndeshjen në Shkodër.
– Ishte hera e dytë që Mziu flet për ndeshje të Laçit, duke parashikuar humbje edhe ndaj Teutës.
– Herën e parë, kur humbëm ndaj Teutës, Mziut nuk ia vura re, sepse ndoshta ishte edhe i ngarkuar emocionalisht, por nëse ndodh sërish, do të thotë që ai e ka personale me ne dhe kjo histori më ka stresuar shumë, sinqerisht. Jam gati të shkoj në Prokurori, të çoj gjithë anëtarët e klubit, drejtues e lojtarë, të çoj që nesër edhe telefonat e gjithë klubit, nëse ma kërkojnë. Jam mëse i hapur, bile do ia dija për nder jo vetëm Mziut, por çdo personi, nëse do më zbulonin diçka që ndodh në klubin tim dhe kemi faj unë apo kushdo tjetër.
– Çfarë prisni të ndodhë, nëse aktivizohet Prokuroria?
– Dikush duhet të japë llogari dhe të paguajë në këtë mes, o unë, o ai. Prokuroria duhet të interesohet dhe të përfshihet direkt, sepse i ka të gjitha mundësitë për të bërë diçka të mirë për futbollin. Nuk ka ç’të bëjë FSHF-ja, edhe pse unë do të bëj ankesë edhe në Federatë. FSHF nuk mund të shkojë vetë në Prokurori, as unë, pasi kallëzimin duhet ta bëjë ai që akuzon. Me siguri e ka një provë apo një emër që ia ka thënë atë që ai ka deklaruar në media. Mund të gjendet fare lehtë nga Prokuroria, sepse i ka të gjitha të dhënat që i duhen: një president akuzon, gjithçka është shkruar e bardhë mbi të zezë, ashtu si foli Live herën e shkuar për Teuta-Laçi. Për të dyja rastet ai duhet të japë llogari, ose të provojë që Laçi ka trukuar dy ndeshje dhe të dënohet Laçi, duke nisur nga unë, pasi jam përgjegjësi kryesor për gjithçka ndodh. Unë kërkoj nga institucionet e shtetit shqiptar të mos qëndrojnë pasive. Ftoj edhe Xhelal Mziun të shkojë që sot në Prokurori, jam i gatshëm të përballem me të për gjithçka, dua me çdo kusht që të zbardhet dhe do ishte një kënaqësi e madhe për mua. Unë jam ai që mban përgjegjësi dhe nuk ia hedh fajin askujt në klub. Si thotë edhe filmi: “Topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj unë”. Në futboll nuk kam hyrë për të përfituar financiarisht, nuk më intereson asnjë klub tjetër. Nëse i bëj nder Teutës, i bie që i bëra nder edhe Vllaznisë. Atehërë çfarë nderi i kam bërë Teutës, kur i lë ndeshjen rivalit direkt? Ç’më hyn në xhep mua kush hyn e kush del nga kategoria? Në Shqipëri gjithë ditën flitet për shitje e blerje, por nuk e kuptoj kush i blen, sepse të gjithë presidentët akuzojnë, por nuk pranojnë që të kenë bërë vetë diçka të pistë. Prokuroria nuk ka rast më ideal për të vepruar, për të nxjerrë gjithë përgjegjësit e kësaj historie dhe të mësojë edhe populli si është e vërteta, sepse ne u themi njerëzve të vijnë në stadium, por pastaj u tregojmë përralla sikur çdo gjë është manipuluar.
– Pse Mziu flet në mënyrë specifike për ndeshjet e Laçit?
– Nëse Mziu ka folur me dikë, ta tregojë me cilin ka folur. Nëse ka emra, le t’i nxjerrë. Nëse jam unë i përfshirë, të dënohem unë, e kështu me radhë. Ky është sporti ynë, ose ta pastrojmë dhe të shkojmë në Prokurori e kush ta meritojë të shkojë në burg, ose secili të flasë në tym dhe të akuzojmë gjithë ditën njëri-tjetrin. Nuk kam punë dhe as më intereson fare çfarë thotë Xhelal Mziu, nuk kam folur kurrë për të as si kryebashkiak dhe as si president futbolli. Le të flasë, por duhet të flasë hapur dhe aty ku i takon, jo të flasë në gazeta apo me mesazhe dhe të krijojë rrëmujë, pa dhënë asnjë shpjegim. Le të flasë ashtu si po flas unë tani, të japë intervistë për gazeta e televizione dhe pastaj të shkojë në Prokurori. Do ishte shumë mirë t’i zbardhë të gjitha, ndërsa unë po bëj gati dosjen time për ta çuar në gjykatë dhe të shohim kush ka shkelur ligjin.
– Keni dalë me një qëndrim zyrtar edhe kundër gazetarëve.
– Fillimisht mendova se ishte një shpikja gazetash, por më pas kuptova që realisht ka folur Mziu, i cili me sa duket ka menduar këtë strategji për të vënë në vështirësi ekipin tim. Që nga ndeshja me Teutën nuk kemi fituar asnjë ndeshje, skuadra është shumë e tensionuar dhe nuk po luan lojën e vet, kam qenë shumë nervoz pas ndeshjes në Shkodër edhe për faktin se humbja vërtetoi parashikimin e Mziut.
– Prokuroria, a mund të aktivizohet vetë, pa shkuar Mziu?
– Prokuroria duhet të veprojë, është rasti i vetëm ku ika të gjitha kartat mbi tryezë. Le të hetojë prë të gjithë, nga unë te Mziu, te lojtarët e te federata. Këto deklarata më kanë prishur qetësinë dhe gjithashtu më kanë prishur harmoninë në skuadër. Flasim tërë ditën për Veting e për politikë, ja ku është rasti për veting. Kam dy ditë që nuk fle nga stresi, tani nuk mban më ujë pilafi. Ose e ka personale dhe mundohet t’i prishë punë Laçit, ose di diçka dhe e thotë me batuta. Mziu ka thënë që edhe javën e ardhshme do parashikojë një rezultat: si është e mundur që del një personazh i rëndësishëm i futbollit që parashikon ndeshjet dhe u thotë njerëzve që të shkojnë të luajnë baste? Në Shkodër Vllaznia mund të shënonte 2-3 gola të tjerë, ne humbëm rast dhe Shtubina mund të merrte penallti, ndërkohë që rezultati doli 1-0 dhe ai thotë që ka informacion, ashtu si tha për Teutën, ku u mundëm në minutën e fundit, me gabime të arbitrit, sepse po të ishte për Teutën, ajo nuk na mundte kurrë. Si mund të dalë dikush e të bëjë thirrje publike që të vendosen baste për ndeshjet e Superiores? A ka shtet këtu? Pse nuk e thërret kush këtë person me pushtet që jep deklarata të tilla, për çfarë i jep, çfarë di dhe kush ia ka thënë?”.
Historia
“Konflikt me Mziun? I kam paguar edhe një borxh!”
Duke parë deklaratat e Xhelal Mziut kundër Laçit, spontane lind pyetja se çfarë konflikti mund të ketë mes Kamzës e Laçit, apo mes Mziut e Laskës, por presidenti i Laçit mohon çdo problem mes tyre dhe përkundrazi, tregon edhe një histori interesante: “Kamza ka blerë pak vite më parë uniforma për ekipin, me vlerën e 3500 eurove, ndërsa unë dola garant, pasi pagesa nuk u bë menjëherë. Nga ajo shifër, 900 euro i pagova nga xhepi im, sepse Mziu nuk i pagoi kurrë. Kaq është marrëdhënia ime me të, asgjë tjetër. Ky është problemi i vetëm që kam me të dhe nuk e kuptoj a i kam rënë në qafë, apo i kam bërë nder. Që atëherë nuk kam pasur asnjë konflikt me të, edhe ajo që kam bërë për të nuk është problem, është një nder që i kam bërë”.