Presidenti i kurbinasve ka analizuar kundërshtarin në Ligën e Europës dhe beson te kualifikimi. Edhe trajneri i bardhezinjve është në të njëjtën linjë
Vladimir Prenga
Anorthosis FC, ky është ekipi me të cilin do të përballet Laçi në kupat e Europës. Bardhezinjtë u njohën me shortin ditën e djeshme, por nuk është se janë të dorëzuar.
Presidenti Pashk Laska madje është optimist. “Rival i fortë, por edhe ne nuk jemi të dobët. Ata luajnë futboll, ne luajmë futboll, pse të kemi frikë? Nuk më intereson buxheti i tyre, sepse edhe ne do të bëjmë punën tonë’, u shpreh numri një i klubit kurbinas. Më tej, Laska flet edhe në lidhje me kualifikimin dhe dëshirën që kishte për shortin, që është e njëjtë edhe me atë të trajnerit Besnik Prenga.
“Them se do ta kalojmë, jo vetëm që do ta tentojmë. Shorti nuk është i keq, ndryshe nga sa duket. Nëse na binin Osijeku e Makabi do ishte shumë më e vështirë. Natyrisht, po të më pyesnin mua, do zgjidhja Sarajevon, por nuk më pyet njeri mua, ndaj pranoj shortin”, thotë me humor presidenti i Laçit.
Trajneri – Që para dy ditësh te Laçi e kuptuan se rrugëtimi në Europë do të ishte i vështirë, pasi rivalët e mundshëm ishin që të gjithë të vështirë. U shmang Osijeku, që cilësohej më i forti, ndërkohë që fatmirësisht as Kairat Almati i Kazakistanit të largët. Trajneri Besnik Prenga i kurbinasve, Besnik Prenga, ka analizuar Anorthosis Fagamusta, por ka folur edhe për ekipin e tij.
“Nuk mund të them se jam i kënaqur me shortin. Dihet që Anorthosis Fagamusta është një ekip i fortë. Po të shohësh listën e lojtarëve të tyre, dallohet qartë që kanë lojtarë me eksperiencë dhe nga vende të ndryshme. Bëhet fjalë për një klub me buxhet të madh. Do kisha dashur tjetër kundërshtar, por po të shohim ata që mund ta na binin, mund të kishte edhe më keq. Sarajevo ishte ekipi i preferuar që do kisha dashur të kishim përballë, kjo edhe për faktin se e njoh më mirë si ekip. Gjithsesi do ta studiojmë Anorthosisin dhe do të punojmë për të qenë gati. Sa i takon ekipit tim, jam i kënaqur me atë që lojtarët po bëjnë në stërvitje, po më ndjekin në çdo seancë dhe kjo është pozitive. Në skuadër ka lojtarë të rinj e të talentuar, por me kundërshtarë të tillë duhet edhe eksperiencë, duhen edhe ata “ujqit” e vjetër si i themi ne. Kam besim te presidenti dhe besoj se brenda pak ditëve skuadra do të jetë më e plotë. E dimë se jemi pak vonë, por them se do të jemi gati. Duhet të impenjohemi maksimalisht në të dyja ndeshjet me Anorthosis dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë. Aspak nuk jemi të dorëzuar, pasi ne nuk është se prisnim një kundërshtar të lehtë”, ka përfunduar Prenga për gazetën.