Goditja më e madhe në merkato për Tiranën vjen te porta, atje ku merr sigurinë e Prishtinës dhe Kosovës, Visar Bekajn. Gardian me aftësi të mrekullueshme që vetëm sa shton kualitetet e bardhebluve, ndërsa për Bekajn do të përflitej edhe një transferim në Bundesligë pak kohë më parë.
Por kjo i përket së shkuarës dhe tashmë portieri 23-vjeçar është veshur bardheblu. Me kampionët e Superiores ka firmosur për 3 vitet e ardhshme, ndërsa ka lënë edhe një letër largimi për të gjithë tifozët e Prishtinës. Duke i falënderuar për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë në këto vite, Bekaj nuk harron të kujtojë se nuk i ka braktisur ngjyrat dhe se do të vazhdojë sërish me një tjetër kryeqytet shqiptar. /Sport Ekspres/
Letra e plotë
Të nderuar,
Pas gjashtë viteve të mrekullueshme, erdhi koha për të lëvizur nga klubi im i zemrës FC Prishtina. Falënderoj menagjmentin e klubit, stafin teknik, bashkëlojtarët dhe posaçërisht tifo grupin ‘Plisat’ për momentet e paharrueshme: sfidat e bukura dhe sukseset e arritura me shumë sakrificë. Ishit dhe mbeteni familja dhe shtëpia ime.
Si portier i ri në FC Ramiz Sadiku, gjithmonë ëndërroja të luaj para Plisave dhe për Plisat. Sa herë që isha i lirë, unë isha me juve në tribunën që do të mbetet gjithmonë në zemrën time.
Këto 5 vite ishin të mrekullueshme. Shpesh më keni thërritur “Zemra e Prishtinës” dhe për këtë ju falënderoj përjetësisht.
Kënaqësi dhe nder të mbrosh ngjyrat e klubit brenda dhe jashtë vendit.
Jam i bindur se kam bërë zgjedhjen e re të duhur, me të cilën marrë me vete kujtimet më të bukura dhe arritjet më të mëdha në karrierën e deritanishme. Më pret sfidë e re, e të cilën pres ta përjetoj me sukseset e radhës.
Vazhdoj rrugëtimin në kryeqytetin tjetër shqiptar, dhe po me të njëjta ngjyrat.
Përjetësisht me Prishtinën dhe Plisat. Ju faleminderit dhe ju dëshiroj fat dhe sukses në të ardhmen, Visar Bekaj!