Më 14 shkurt, në ditën e të dashuruarve, Partizani u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, edhe pse e mundi Flamurtarin 2-1. Në stol atë ditë ishte Klevis Dalipi, i cili në një farë mënyre doli i fituar nga ai takim, sepse Partizani luajti shumë mirë dhe ishte deri në fund në luftë për kualifikim, duke mposhtur një rival të nivelit të lartë. Pas ndeshjes Moxhi u tregua i qartë: “Jemi për vend të dytë, e pata çfarë i bëmë Flamurtarit, që është aktualisht i dyti?”.
Megjithatë, në vazhdim Partizani u mund nga Kukësi dhe Skënderbeu, si dhe la pikë në Durrës. Starova iku, por duket se largimi i tij ishte gatuar kohë më parë.
Nuk ka si të shpjegohet ndryshe ai postim në Instagram i zëvendëstrajnerit Klevis Dalipi, i cili në 15 shkurt shkruante: “@fkpartizani ..Dikur e kam pasur ëndërr ta vesh futbollist sot jam shumë pranë ta realizoj si trajner”.
Sido që ta interpretojmë, mesazhi është aq i qartë, saqë është e kotë të zgjatemi: te Partizani sinjalet për largimin e Starovës janë dhënë me kohë dhe barazimi në Durrës ka qenë fundi i një agonie. Mund të largohej pas humbjes në Korçë, por aty Partizani luajti mjaft mirë dhe humbi në mënyrë të pafat, me një autogol, ndaj Starovës iu dha kohë, që me sa duket mbaroi dje.