“Largimi i shqiptarëve të Kosovës? S’ka problem për Kombëtaren“, Beqiri i gatshëm për stolin e Vllaznisë: Do ishte kënaqësi

Elvin Beqiri vijon karrierën e tij si trajner pas varjes së këpucëve në gozhdë. Ish-futbollistit shkodran i është besuar drejtimi i Kombëtares U-17, në krye të së cilës kërkon të bëjë mirë dhe të fitojë eksperiencë në rrugën e re që ka nisur. Beqiri ka qenë i ftuar në “Fax Sport“, ku i pyetur nga gazetarja Klevisa Alinani në lidhje me një kalim të tij në stolin e Vllaznisë, ish-futbollisti shprehet i gatshëm ta shfrytëzojë këtë mundësi në rast se i ofrohet.

Më tej prek edhe Kombëtaren gjatë intervistës së tij. Sa i përket çëshjtes së largimit të shqiptarëve të Kosovës gjithnjë e më shumë drejt dardanëve, Beqiri deklaron se nuk e sheh aspak si problem një gjë të tillë. Nga ana tjetër bën me dije se dyert e Shqipërisë do të jenë gjithnjë të hapura për ta. Bashkëpunimi me Rejën ka qenë ekzistent përgjatë kësaj kohe, ndërsa nuk i kursen fjalët pozitive për trajnerin italian, që sipas tij i ka idetë dhe strategjitë të qarta.

“Trajner i Vllaznisë? Unë kam dalë nga ky klub. Gjithmonë kam qenë dhe do jem i gatshëm që ta ndihmoj ketë klub, sepse është ekipi i zemrës. Jam i gatshëm. Për mua do ishte një kënaqësi dhe privilegj të isha pjesë e Vllaznisë si trajner.

Për shkak të menaxhimit në klub kanë pasur vështirësi. Ende nuk po gjendet një president ose disa sponsor që t’i gjenden afër këtij ekipi. Do ishte diçka pozitive sikur bashkia t’ia linte privatit klubit. Vllaznia duhet ta ketë sa më shpejt një president që të mos jetë më në këto ujëra.

Që në momentin kur Kosova është pranuar nga UEFA dhe FIFA, normalisht shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur të luajnë për Kosovën. Nuk e shoh ndonjë problem për Kombëtaren tonë largimin e tyre. Kryesorja është që ata të mundohet të zgjedhin atë ekip ku mund të japin më të mirën e tyre. Për mua nuk ka asnjë problem. Lojtarët nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi janë gjithmonë të mirëpritur.

Kemi pasur disa takime me trajnerin Reja. Kemi diskutuar shumë në lidhje me Kombëtaret e moshave, me strategjinë e tij. Mendoj që ka ide të qarta falë edhe eksperiencës së tij, që ka qenë në ekipe me emra. Shpresoj që të kemi edhe rezultatet. Kombëtarja jonë duhet të jetë me fat që në drejtimin e saj ka një trajner me shumë eksperiencë dhe shpresojmë që edhe bashkëpunimi jonë si trajner moshash të jetë sa më i mirë dhe i shpeshtë në lidhje me idetë apo strategjitë për t’i ardhur në ndihmë ekipit kombëtar“, ka deklaraur Elvin Beqiri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *