E gjithë vëmendja ishte tek Edin Xheko dhe sulmuesi luajti nga minuta e parë në sfidën e prapambetur luajtur sot në Xhenova, kundër Sampdorias. Jo vetëm që luajti, por edhe shënoi, duke gjetur në fund golin që evitoi një humbje të pamerituar për Romën, edhe pse verdhekuqtë nuk luajtën një ndeshje perfekte.
Në Ferraris Sampdoria shënoi në fund të pjesës së parë me një penallti të shndërruar në gol nga Kualiarela, por përfundoi 1-1, një barazim që i vlen shumë pak sidomos Romës, sepse Lacio ka shkuar +5 dhe Interi është ende përpara. Goli i Sampdorias ishte i mbushur me polemika, sepse u akordua nga VAR-i, në një kohë që Roma protestonte për një faull ndaj Strotmanit para episodit të 11-metërshit.
Vetëm 30 minuta në fushë për Patrik Shik, ai që shihet si pasuesi i Xhekos, sepse boshnjaku është praktikisht i Çelsit, që ka arritur marrëveshjen me Romën, për sulmuesin dhe për mbrojtësin Emerson Palmieri, për 50 milionë euro plus bonuse, ndërsa tashmë pritet që Xheko të niset për në Angli.