Klubi “Skënderbeu” e ka vendosur tashmë “timonierin” e ri dhe pritet që nga ora në orë Shehi të bëjë edhe prezantimin për të hedhur të zezën mbi të bardhë. Presidenti Takaj në këtë mënyrë nuk ka pritur shumë pas largimit të Dajës dhe ka vendosur që Shehin ta kalojë nga fusha në stol.
Në këtë mënyrë Orges Shehi, do ta fillojë aventurën e tij në postin e trajnerit me ekipin që i dha lavdi.
Çështja e trajnerit të ri të Skënderbeut konfirmohet edhe zyrtarisht për gazetën, por Takaj do ta bëjë të ditur në një komunikatë për mediat sot apo nesër, ndërkohë që kjo është vetëm çështje formale, pasi gjithçka është mbyllur.
Plot tetë sezone ka qenë Shehi pjesë e Skënderbeut, dy sezonet e fundit edhe kapiten i tij. Ka fituar gjithçka me fanellën bardhëkuqe dhe përpara pak ditësh ka pasur një bisedë “kokë më kokë” me presidentin Ardjan Takaj. Vetë Shehi nuk ka pasur dëshirë të thotë diçka në lidhje me këtë fakt, por ai e ka licencën e duhur për të drejtuar një skuadër futbolli që në këtë moment. Duke qenë se Shehi e njeh më mirë se kushdo tjetër ekipin e Skënderbeut, ku luajti për tetë sezone, sigurisht që është zgjedhja perfekte, në një moment ku Skënderbeut i duhet qetësi.