Nga Klaudio Ndreca
Teksa kanë kaluar shumë ditë pa një përgjigje sa i përket futbollit, lajme të mira vijnë edhe për këtë sport. Duket se diçka po lëviz dhe brenda pak ditësh edhe klubet do të njihen me të ardhmen e tyre.
Në një intervistë për “Report Tv”, zyrtari i FSHF-së dhe shefi i sektorit të garave Lysjen Nurmishmi, është shprehur se brenda 5 ditësh do të vijë edhe përgjigja për futbollin. Ato që mbetet për t’u diskutuar janë anët teknike, për të parë edhe marrëveshjen për mbulimin e shpenzimeve për testet që do të kryhen për futbollistët, personelin dhe zyrtarët e klubeve.
“Diçka po lëviz dhe është një sinjal pozitiv për të gjithë. Brenda 5 ditësh do të kemi një përgjigje për rifillimin e aktiviteteve sportive, pasi lojtarët duhet të kenë një fazë përgatitore. Ne kemi përgatitur një draft protokoll ku do të ketë edhe teste. Kostot janë të larta dhe do shihet kush do ti përballojë koston e testeve. Matja e temperatura është normale për tu kryer, por testet dy herë në javë kërkojnë kosto.
Të vështirë për tu përballuar nga grupet. Të shohim përgjigjen nga Ministria Shëndetësisë janë grupe interesi që do vendosen. Ka shumë ndeshje për tu bërë. Duhet të vendosim një datë për stërvitjen e pastaj për të tjerat. FSHF mbulon plotësisht anën sanitare, por në bazë të marrëveshjes të përcaktojmë edhe sa herë do të bëhen testet. Si për muajin prill do të bëhet edhe për muajin maj, lidhur me përfitimin e pagës së luftës. Kontratat përfundojnë këtë muaj dhe është e vështirë për lojtarët”, tha Nurishmi. /Sport Ekspres/