Komiteti Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, ndër shumë vendime që ka marrë sot, ka korrigjuar edhe një gabim që është evidentuar prej kohësh.
Kështu, prej sezonit të ri, të gjithë futbollistët shqiptarë nga Maqedonia do të konsiderohen si vendas në futbollin shqiptar, ashtu si futbollistët nga Kosova.
Deri në sezonin e fundit, futbollistët nga Kosova aktivizoheshin lirisht në Shqipëri, por shqiptarët nga Maqedonia ishin të penalizuar, duke u konsideruar të huaj, çka shtonte ndjeshëm problemet e klubeve, pasi me rregullin e 4 të huajve krijohen shumë pengesa.
Tani ka ardhur vendimi që rregullon gjithçka, edhe pse natyrisht tani do të ngrihet pyetja pse nuk vlen ky kriter edhe për shqiptarët nga Mali i Zi, etj, por realisht prurjet më të mëdha në Superiore janë nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë,
Ndryshimi i rregullores lumturon për shembull Flamurtarin, pasi mesfushori Muhamedin Useini nuk do të llogaritet i huaj, ndërsa jo vetëm vlonjatët, por edhe klubet e tjerë, do të kenë mundësi të operojnë lirisht në tregun maqedonas për futbollistët shqiptarë aty.