Kosta Grillo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u kërkua ndihma ekonomike pasi familja nuk po përballonte dot më shpenzimet në Turqi. Por fatmirësisht komentatori i njohur është duke u përmirësuar pas prekjes nga COVID-19. Gjithçka vjen e sqaruar nga gazetari dhe miku i tij, Baku, i cili shkruan:
“Një lajm i mirë na vjen këtë mëngjes nga Stambolli. Kolegu, miku, vëllai, Kosta Grillo duket se ka marrë kthesën e madhe për mirë… Lavdi Zotit! Mjekimi me qelizat e reja duket se po jep frutet e tij. Komunikimi i tij është shumë normal, me një çehre shumë të mirë të fytyrës. Për herë të pare pas 10 ditësh ka kërkuar për të ngrënë… Mjekët e spitalit i kanë raportuar analizat e gjakut dhe ato kanë dalë shumë mirë. Trupi po rikthehet drej normalitetit…
Beteja tani do të fokusohet te rikuperimi i mushkërive. Pra të punohet më pak me aparatet e oksigjenit dhe të rikuperohen mushkëritë.
– Jam shumë mirë, i ka thënë Kosta sot doktoreshës. Dua të kthehem…
– Ku do shkosh ti? i është përgjigjur ajo… Është rrugë e gjatë… Durim!
Të dashur miq, Faleminderit për lutjet tuaja! Zoti ju bekoftë! Vazhdoni ju lutem të luteni!
Falemnderit ju që kontribuat financiarisht! Të gjithë ata/ato që mund të kontribuojnë, ta bëjnë ju lutem. Kohën e qëndrimit të Kostës në spital askush nuk e di…
Kam dhe një fjalë për ata/ato, shumë të paktë, që e mallkuan dhe i uruan më të keqen… Zoti ju bekfotë edhe ju! Zoti ju ruajtë trutë e kokës… Sepse ju nuk e njihni fare fare Kosta Grillon… Mësojeni se Kosta Grillo është jetëgjatë… Sepse Zoti i mbron njerëzit e mirë dhe të pastër!”, shkruan Baku. /Sport Ekspres/