Shqipëria e ka njohur shortin sa i përket eliminatoreve të Europianit, ku fati është treguar jo pak zemërgjerë me ne. Pikëpyetja më e madhe mbetet tek emri i trajnerit që pritet të jetë në kryesim të Kombëtares. Bëhet fjalë për një rinovim me Rejën apo do të vijë një tjetër trajner?
“Pikat mbi i” do të vendosen kur të mbyllet edhe kontrata aktuale e Rejës. Por në mediat italiane janë të sigurta se e kanë zbuluar trajnerin e ri të Shqipërisë. “Sport Italia” raporton së fundmi se Luigi Di Biagio është duke mbyllur përfundimisht marrëveshjen me kuqezinjtë. Sipas tyre, trajneri ka refuzuar ofertën e Cosenzas pasi do të vijë për të zëvendësuar Rejën.
Një skenar të tillë e ka mohuar disa ditë më parë vetë kreu i FSHF. Armand Duka u shpreh se Di Biaggio-s i është ofruar vendi i postit të drejtorit sportiv në FSHF më parë dhe për këtë arsye përmendet emri i tij si trajner i mundshëm. A ka pasur zhvillime të reja në ditët e fundit? Mbetet që të shihet! /Sport Ekspres/