Ishte e bukur për aq sa zgjati! Egbo mbyll kapitullin e tij në krye të pankinës së Tiranës. Atëherë kur më pak pritej dhe kur të gjithë prisnin që ky të ishte viti kur trajneri nigerian të niste një cikël dominimi me bardheblutë vjen shkarkimi nga detyra.
Në futboll asgjë nuk është e sigurt dhe mjafton shumë pak që e nesërmja të gjejë në një tjetër pozitë. Këtë e ka kuptuar mjaft mirë edhe Emanuel Egbo, që sheh se si një humbje surprizë nga Korabi ditën e sotme kthen gjithçka përmbys dhe i flak tutje të gjithë atë ecuri me hap të pandalshëm në sezonin e shkuar.
Është pikërisht klubi i Tiranës që pak minuta më parë ka zyrtarizuar vendimin e vetë përmes faqes zyrtare, ku falenderon nigerianin për sukseset e arritura, por njëkohësisht ndan edhe rrugët me të për shkak të rezultateve larg pritshmërive të klubit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i klubit:
Klubi i Futbollit Tirana njofton shkarkimin e trajnerit Emmanuel Egbo.
Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, Egbo nuk do të jetë më në krye të bardhebluve për shkak të rezultateve të munguara.
Klubi e falenderon për përkushtimin dhe sukseset e arritura, të cilat kulmuan me kthimin e titullit kampion në shtëpi.
Duke i uruar suksese në karrierën e tij, kampi i kampionëve i jep një meritë të vecantë të suksesit në sezonin e shkuar njëriut që prej vitesh ishte edhe do të jetë pjesë e familjes së bardhebluve. Faleminderit Egbo!