Lacio nisi sezonin e ri, me vizitat mjekësore të një pjese të yjeve të ekipit, mes të cilëve edhe dy shqiptarët Thomas Strakosha dhe Valon Berisha. Në klinikë u paraqitën edhe trajneri Simone Inzagi, blerja më e re e skuadrës, Françesko Açerbi, Lukas Leiva, Basta e Murgia.
Ky është boshti i skuadrës për sezonin e ri, që pas paraqitjeve mbresëlënëse të edicionit të kaluar, këtë herë do të synojë arritjen e objektivit, për tu kualifikuar në Champions. Luis Alberto ishte i vetmi që mungoi nga lojtarët që priteshin, me kontrollet e brazilianit që u shtynë prej transferimit të mundshëm në merkato.
E ndërsa Strakosha zhvilloi normalisht testet vizike nën mbikqyrjen e mjekëve, Valon Berisha i kishte kaluar ato në momentin e firmës me Lacion, pas transferimit nga austriakët e Salcburgut. Mesfushori i përfaqësueses kosovare tashmë është gati për fazën përgatitore dhe e ka të qartë se duhet të punojë shumë për tu ambientuar dhe për tu bërë menjëherë protagonist.
“Këto dhjetë ditët e fundit që kalova në Salcburg dhe Austri ishin shumë të bukura. I shfrytëzova për tu takuar me familjarët dhe miqtë e mi. Tani është koha të nis aventurën në Romë dhe të nisim të punojmë fort për sezonin e ri. Forca Lacio!”, ishin fjalët e yllit 25-vjeçar.