Është luajtur sot një ndeshje e kampionatit Primavera, si quhet ndryshe kampionati i të rinjve në Itali, me Interin që priste Lacion, sfidë mjaft e lehtë në letër për zikaltrit.
Aktualisht Interi është i dyti në renditje dhe lufton për titull, ndërsa Lacio është në vendin e fundit dhe luante shansin e fundit për të pasur shanse matematike për qëndrim në elitë.
Ndodhi çudia, sepse fitoi Lacio 3-1, me përmbysje. Interi shënoi në minutën e 32-të, por Lacio barazoi 2 minuta më vonë.
Mesfushori shqiptar i lindur në Belgjikë, Toni Aliaj (i biri i vlonjatit Ardian Aliaj, Ish-futbollist i famshëm i kombëtares sonë) , shënoi një supergol për Lacion në minutën e 72-të, me një predhë nga distanca që u përplas në traversë dhe përfundoi në rrjetë.
Gjashtë minuta më vonë portugezi Neto siguroi fitoren e Lacios, që tashmë është 6 pikë larg mbijetesës me 3 ndeshje të mbetura, mision gjithsesi mjaft i vështirë.
Gjithsesi, lajm përbën fakti që Lacio e drejtuar nga Valter Bonaçina ishte me ngjyra të forta kuqezi, sepse portieri 18-vjeçar Marko Alia (Shqipëria U-19), qendërmbrojtësi 18-vjeçar Serxhio Kalaj (Shqipëria U-19) dhe mesfushori 19-vjeçar Toni Aliaj e nisën nga minuta e parë, ndërsa në minutën e 66-të u fut edhe sulmuesi 18-vjeçar Progon Maloku (Shqipëria U-19). Nuk mbaron me kaq, sepse në stol ishte edhe anësori ofensiv 18-vjeçar Beli Lukaj, i lindur në Zvicër, pjesë e Shqipërisë U-21.
Duket qartë se është puna e Igli Tares ajo që ka afruar kaq shumë lojtarë shqiptarë te Lacio, le të shpresojmë që dikush prej tyre në të ardhmen do të bëhet i madh për Lacion dhe natyrisht për Shqipërinë.