Humbja 3-0 me Molden duket shumë e vështirë për tu përmbysur. Një mision tejet i vështirë për Laçin, me trajnerin Besnik Prenga, i cili edhe në rast eliminimi nga Europa League kërkon ta fitojë ndeshjen e kthimit. Më pas, në futboll gjithçka mund të ndodhë dhe askush nuk mund t’ia ndalojë kurbinasve të ëndërrojnë.
“Ekipi është korrekt dhe me karakter. Humbja 3-0 na ka motivuar që ndeshjen tjetër ta fitojmë. Futbolli është futboll nuk i dihet. Ëndrrat nuk mund të na i heqë askush”, deklaroi trajneri i Laçit për “Super Sport”.
Edhe pse Laçi duhet të luajë në sulm, formacioni pritet të mos ketë shumë ndryshime: “Nuk jam trajner që ndryshoj shumë. Kam 25 lojtarë, por nuk mund ti aktivizoj të gjithë. Lojtarët e formacionit e kanë besimin tim, pavarësisht se mund të kenë bërë një ndeshje jo të mirë. Futbollistët do të jenë përgjithësisht ata që e nisën dhe e përfundan ndeshjen me Molden”.
Në fund Prenga komentoi edhe merkaton e bardhezinjve dhe përgatitjet për kampionatin e ri: “Unë së bashku me drejtuesit, jemi të përqendruar në Europë, por kamionati nis për një muaj. Jemi në kontakt me lojtarë të ndryshëm dhe do të jemi të përgatitur për kampionatin, me lojtarë më të fort dhe ekip më cilësor në përbërje”.