Mbrojtësi i krahut të majtë është i skualifikuar, ndërsa futbollisti kavajas e ka lënë pas dëmtimin
Laçi nuk ka pushuar, që ditën e djeshme bardhezinjtë kanë zbritur në fushën e blertë për të nisur nga puna për sfidën e së dielës me Teutën në shtëpi. Ditën e djeshme ekipi kurbinas ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore dhe në vijim pritet të punohet më së tepërmi në aspektin tekniko-taktit, pasi ndeshja e radhës është në prag. Ndaj durrsakëve mungesë e sigurt është ajo e Taulant Sefgjinit, i cili u ndëshkua në ndeshjen me Kamzën me karton të verdhë, që ishte i katërti për të. Këtë javë ai do të pushojë dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen hapëse të fazës së tretë kundër Partizanit në transfertë. Para seancës së djeshme trajneri Mezani ka zhvilluar një analizë të shkurtër me lojtarët e tij, për të vijuar më pas me aplikimin e planit stërvitor. Tekniku vlonjat duhet të mendojë edhe për lëvizjet në formacion, teksa pritet që në vend të Sefgjinit të luajë Arbër Shala, mbrojtësi që vjet u transferua nga Gjilani te Laçi dhe luajti në 29 takime. Këtë sezon është aktivizuar më pak, në 10 ndeshje, gjysmën e tyre i ka nisur si titullar.
INFERMIERIA – Në seancën e djeshme stërvitore i diferencuar punoi sërish mesfushori Sherif Kallaku, i cili pas sfidës me Kamzën ka pasur shqetësime dhe nuk ishte nën urdhrat e trajnerit Mezanit të mërkurën në Kupë ndaj Luftëtarit. Lajme të mirë vijnë nga Regi Lushkja. Kavajasi i mesfushës kurbinase dje është bashkuar me grupin pas një periudhe 10-ditore që punonte veçmas. Duket se ai e ka lënë pas dëmtimin tani dhe me Teutën do të jetë gati. Gjithsesi duhet pritur dhe parë, pasi edhe Lulaj nisi në fillim të javës punë me grupin, por nuk u grumbullua në Kupë, për shkak se ende nuk ka ritmin e duhur. Sot dhe nesër do të kuptohet gjithçka në lidhje lojtarët që do të jenë të gatshëm për sfidën me Teutën.
Vladimir Prenga