Zëvendëstrajneri i Partizanit: Ndeshje e vështirë, por e kalojmë me sukses. Trashi fiksohet si mbrojtës i majtë. Çani nuk do të luajë. Tapeti i rënduar na prish punë
Zëvendëstrajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, doli në një konferencë për shtyp ditën e djeshme. Ai beson te suksesi i skuadrës së tij, ndërsa mendon se ekipi do të dhurojë një përformancë mjaft të mirë.
– Ecuria negative e Partizanit nisi me Laçin, sa do të ndikonte një humbje kundër këtij ekipi?
– Në këtë sezon kemi pësuar dy humbje ndaj Laçit, por nuk dëshiroj t’i referohemi statistikave, pasi tashmë është një fazë tjetër e kampionatit. Skuadra ka dhuruar paraqitje të mira me dy humbjet kundër Flamurtarit, më pas vazhduam me Kamzën. Lojtarët e rinj po harmonizohen mjaft mirë me ekipin ndaj kemi shumë besim se do ta kalojmë pozitivisht këtë përballje të vështirë ndaj Laçit. Kundërshtari është për t’u vlerësuar, pasi është një skuadër mjaft e organizuar me një trajner që pëlqen lojën sulmues, por ne kemi marrë masat për të neutralizuar sulmuesit e tyre. Ne duam ta fitojmë këtë ndeshje.
– A do të jetë në gjendje sulmi Partizanit të shënoj edhe në këtë ndeshje?
– Mendoj se skuadra po funksionon mjaft mirë në sulm, gjë të cilën e tregoj edhe në takimin ndaj Kamzës. U shfaqëm mirë para portës dhe shënuam dy gola me Asanin, por u shfaqëm edhe herë të tjera, pa harruar faullen e Trashit. Skuadra po prodhon lojë, e rëndësishme është të jemi mjaft të kujdesshëm, pasi gjatë 90 minutave të lojës mund të ndodhin shumë episode. Sulmi i Laçit është mjaft i rrezikshëm. Duhet të shfrytëzojmë shanset që do të na paraqiten dhe të jemi të durueshëm për të dalë te goli.
– A është punuar në aspektin psikologjik për ta kaluar me sukses Laçin?
– Lojtarët nuk duhet të futen me mendimin se Laçi është “mace e zezë”. Në ndeshjet e humbura ndaj Laçit ne kemi bërë lojëra të mira, nëse i analizojmë mirë. Të dy ndeshjet i kemi kontrolluar ne, por u penalizuam nga episode. Unë besoj që në këtë përballje ekipi do të shfaqet mjaft mirë. E përsëris që është një sfidë e vështirë, por kam besim te skuadra.
– A ndikon fusha te aktivizimi i Çanit, nga frika e ndonjë dëmtimi të mundshëm?
– Për sa i përket Çanit, sulmuesi vijon të ushtrojë një program stërvitor duke marrë ngarkesën e duhur. Ai duhet të marrë një javë ngarkesën e plotë për t’u aktivizuar. Ne e presim që në javën në vazhdim Çani të arrijë kondicionin e duhur fizik dhe të vihet në shërbim të skuadrës.
– Tifozët kanë paralajmëruar se nuk do të jenë prezent në stadium për shkak të masave që ka marrë policia. Keni një mesazh për ta?
– Nuk e diskutoj që tifozët janë forca jonë më e madhe, lojtarët dhe klubi nuk mund të bëjnë dot pa ata. Tifozët i japin një shtysë skuadrës në momente që ekipi nuk reagon mirë gjatë ndeshjes. Ne kemi shumë nevojë për mbështetjen e tyre dhe i bëj thirrje që ata të vijnë të na mbështesin në ndeshje. Nuk mund të flas për problemin e kartave të identitetit, pasi është shumë specifik.
– A i druheni ndonjë faktori tjetër të jashtëm në këtë përballje?
– Dua t’i lë mënjanë këto hamendësime. Ne duhet të fokusohemi fort vetëm te ndeshja, sepse ky takim kërkon impenjim maksimal nga të gjithë për të arritur fitoren. Një fitore me Laçin na ndihmon të hyjmë më moralin lart edhe në ndeshjen e kthimit kundër Flamurtarit.
– Kalendari ju favorizon, pasi ju jep mundësinë të parakaloni ekipet rivalë…
– E drejtë, fituam me Kamzën dhe i kaluam. Shpresojmë ta bëjmë me Laçin e me radhë, por ne duhet të mendojmë vetëm për sfidën e radhës kundër kurbinasve dhe të mos mendojmë për më tej.
Trashi fiksohet si mbrojtës i majtë
Mesfushori Lorenc Trashi do të luajë sërish në krahun e majtë të mbrojtjes. Dalipi e theksoi diçka të tilla në konferencën për shtyp të ditës së djeshme. Mungesa e Kalarit ndikon në këtë vendim, por më shumë se gjithçka mbipopullimi i skuadrës në krahët e sulmit. “Skuadra që fiton nuk ndryshon, ndaj mendoj që formacioni nuk do të pësojë shumë ndryshime. Ai është spostuar në krahun e majtë për t’i dhënë më shumë rrezikshmëri fazës sulmuese. Të gjithë i dimë cilësitë që disponon Trashi, në fazën e fundit, në 1 kundër 1, është shumë i fortë. Paraqitja e tij ndaj Kamzës ishte mjaft pozitive, ndaj e theksoj se edhe në takimin ndaj Laçit do të vazhdoj të luaj si mbrojtës i majtë”, – shprehet Dalipi.