Padyshim që mbrëmja e sotme mund të quhet edhe si kulmi i karrierës së Berat Gjimshitit, njeriut që si emër ka një qytet të Shqipërisë. Në këtë sezon nuk janë të shumtë lojtarët që përfaqësojnë Kombëtaren e Shqipërisë, të cilët janë pjesë e një kompeticioni si “Champions League”.
Pikërisht atje ku përqendrohet edhe gjithë vëmendja e tifozëve në mbarë Europën. Berat Gjimshiti, njeriu që ka kaluar aq shumë peripeci gjatë gjithë karrierës pasi nuk është vlerësuar në mënyrën e duhur, sot dëshmon më së miri një formulë suksesi.
E gjitha kjo bazohet në faktin se dikush që i beson vetes dhe aftësive që zotëron, mund të arrijë shumë larg nëse vazhdon të punojë në heshtje. Asnjë përplasje e vetme nuk ka ndodhur nga ana e Gjimshitit në gjithë karrierën, si në ekipet ku Atalanta e huazonte shpeshherë, por edhe në Kombëtare.
Shumë ndeshje të nisura nga stoli, por njëkohësisht edhe shumë heshtje për të, pa e ngritur asnjëherë zërin. E gjitha kjo ka sjellë edhe shpërblimin e madh, që fundja në një kohë do të vinte, sado e vonë të ishte. Në përballjen e Atalantës në transfertë ndaj Dinamos së Zagrebit, sipas formacionit zyrtar, Berat Gjimshiti do ta nisë nga minuta e parë. Ky është momenti yt Berat, duhet ta shijosh. /Sport Ekspres/