“Ky është fillimi im në një karrierë tjetër”, Agolli: Kjo Kombëtare merr fryte më të mira se sa ne në 2016-ën

Karrierën si futbollist ka pak kohë që e ka mbyllur, teksa vitin e fundit po provon veten e tij në një tjetër fushë të futbollit, atë të trajningut, ndërsa ka hapur një Akademi të tijën në New York.
Bëhet fjalë për Ansi Agollin, një nga legjendat e Kombëtares shqiptare, ish-kapiteni i ekipit kuqezi që numëron plot 73 paraqitje në radhët e skuadrës, tre prej të cilave në finalet e kampionatit europian “Francë 2016”, ku Shqipëria arriti të kualifikohej për herë të parë në historinë e saj.

Së fundmi Ansi Agolli është bërë pjesë e edicionit të radhës të kursit të licencimit për trajnerë të nivelit UEFA A që organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n. Në një rrëfim special për fshf.org, ish-futbollisti i Kombëtares flet për shkëputjen nga futbolli i luajtur dhe për hapin e rëndësishëm që ka marrë tashmë drejt rrugës së trajnerit, teksa e sheh këtë kurs si një mundësi pozitive për këdo që dëshiron të çertifikohet si trajner futbolli.

Kombëtarja ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek Ansi, i cili edhe pse nuk është më pjesë e saj si futbollist, vijon ta ndjekë. I pyetur për ecurinë e ekipit në eliminatoret e fundit, ai e vlerëson si një nga edicionet më të suksesshme në 20 vitet e fundit e më tej, jo vetëm për rekordin e pikëve por edhe për grupin aktual. Nisur nga kjo gjë, Ansi Agolli beson se kjo skuadër mund të arrijë sërish të kualifikohet në finalet e një tjetër kampionati europian.

Rruga e re drejt trajningut dhe kursi UEFA A – “Si çdo ish-futbollist, edhe unë, pavarësisht se jashtë futbollit bëjmë gjëra të tjera, por ajo që na tërheq më shumë, apo aty ku e ndjejmë veten më mirë është pjesa e futbollit, atë që kemi bërë gjithë jetën, që fëmijë, e deri në nivele profesioniste. Një hap shumë i rëndësishëm në këtë pjesë është edhe marrja e licencës UEFA A, që aktualisht unë po bëj. Mendoj që është një gjë mjaft pozitive për çdo ish-lojtar profesionist, por edhe për çdo individ që aspiron të bëhet trajner, t’i bëjë këto licenca, të bëjë kurset e të vijë në kurse, jo vetëm sepse çertifikohet si trajner, por më e rëndësishmja është shkëmbimi i eksperiencave me profesionistë të tjerë që vijnë në këtë kurs dhe marrja sa më shumë e eksperiencës”.

Ëndrrat si trajner dhe planet për të ardhmen – “Për momentin, ky është vetëm fillimi. Prej një viti e pak kam një akademi në New York, rreth 200 fëmijë. Siç e thashë edhe më parë, pjesa më me pasion që bëjmë është futbolli, kështu që kurrë mos thuaj kurrë. Gjithsecili e ka një fillim dhe besoj që ky është fillimi im në një karrierë tjetër”.

Paraqitjet e Kombëtares në kualifikueset e “Katar 2022”– “Këto eliminatore që ekipi Kombëtar sapo përfundoi, mendoj që ka qenë një nga më të suksesshmit në 20 vitet e fundit ose më shumë. Jo vetëm sepse ekipi grumbulloi një rekord pikësh në një eliminatore botërori, por i mblodhi këto pikë me lojtarë apo një grup që ende nuk është rritur nga eksperienca. Mendoni sikur i njëjti grup të luajë pas dy vitesh ose katër vitesh. Mendoj se skuadra e ekipit Kombëtar është në një rrugë mjaft të mirë dhe besoj në një afat të shkurtër ose të mesëm, besoj do marrë fryte edhe më të mira se sa i morëm ne në 2016”.

A është i arritshëm EURO 2024? – “Mendoj se është e arritshmme, kualiteti është aty, grupi është formuar. Duhet të kalojë pak kohë që ato futbollistë, ato lojtarë të rriten nga eksperienca, që ka shumë rëndësi. Eksperienca si individ dhe eksperienca si skuadër. Kjo është e vetmja gjë që ata nuk e kanë siç e kishim ne në 2016. Por kjo është diçka që fitohet me kalimin e kohës. Nuk është diçka që fitohet me shkopin magjik. Kohën e kanë, grupin e kanë dhe duke u nisur nga këto eliminatore botërori, mendoj se në të ardhmen do të jetë akoma më mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *