“Ky ekip ka autoritet kampioni”, Martini shpjegon sjelljet me arbitrin: Temperamentin e Aleksit e vuajmë edhe në stërvitje

Abissnet Superiore hapet në mënyrën më të bukur të mundshme. Teuta dhe Partizani kanë dhuruar emocione në fushën e lojës, ndërsa nuk ka munguar as atmosfera e tifozëve në tribuna. “Demat e kuq” e nisin me humbje sezonin e ri, teksa janë mposhtur me rezultatin minimal 1-0 nga Teuta. Një humbje kjo që vjen më tepër si përgjegjësi e Partizanit se sa meritë e kundërshtarit. Kjo pasi goli i vetëm i takimit vjen pas një gabimi të Alban Hoxhës, ndërsa në pjesën e dytë Stenio Xhunior humbet rastin për të barazuar nga penalltia. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.

Martini (Teuta): “E kam thënë gjithmonë që arma më e fortë e Teutës është grinta dhe dëshira për të fituar. Ky ekip ka një autoritet prej kampioni, të cilin e shfaq edhe në fushë, megjithatë është ende herët për të bërë gjykime. Sot morëm tre pikët, por vuajtëm jo pak ndaj Partizanit, ndaj besoj se kemi ende punë për të bërë në aspektin e menaxhimit të lojës. Gjithsesi ishte ndeshja e parë dhe me rëndësi ishte që ta nisnim mbarë, duke marrë tre pikët. Sjellja me arbitrin? Është një aspekt për të cilin ne flasim shpesh, por Aleksi ka këtë temperament dhe e vuajmë jo pak edhe në stërvitje. Ai jep maksimumin dhe e përjeton në mënyrë të atillë futbollin, ndaj e ka të vështirë të kontrollojë emocionet. Sa i përket Kallakut, atij i takon, pasi është kapiteni i skuadrës dhe duhet të jetë aty për të folur me arbitrin, Gjithsesi duhet të përmirësohemi në këtë aspekt.

Unë mendoj se jemi më mirë, pasi kemi ndryshuar në qendër të mbrojtjes, por edhe më lart, pasi ka ikur Bregu e ka ardhur Kallaku. Kemi ende edhe Vilën të dëmtuar, që e presim të rikthehet, por edhe Acquah, një element mjaft i rëndësishëm. Problemi i vetëm është që të rinjtë kanë ardhur rishtazi dhe duhet ende edhe pak kohë që të bëhen pjesë e grupit, megjithatë them se do jemi më mirë se vitin e kaluar. A do të jetë Georgiev një surprizë te Teuta? Është një lojtar shumë i mirë, që punon shumë dhe vrapon gjithashtu shpejt, ndaj do të jetë i rëndësishëm për ne këtë sezon. Megjithatë ne kemi edhe alternativa të tjera. Goli na imponoi të vinim pak më poshtë, megjithatë gabuam edhe disa pasime të shpejta, duke humbur mundësinë për të dalë në kundërsulm. Vlen të theksohet se edhe loja e Partizanit na imponoi atë tërheqje“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *