Emri i Marash Kumbullës qendron në tryezën e shumë klubeve të njohura italiane dhe europiane, të cilat po e ndjekin me interes profilin e tij. Një mbrojtës tipik që siguron me çdo kusht që prapavija të mos fusë ujë dhe me një qetësi e saktësi që të jep përshtypjen se ka një jetë të tërë në Serie A. Rruga e tij dukej se do të bashkohej me atë të Interit në verë, duke qenë se këta të fundit kanë shqyrtuar mundësitë që në merkaton e dimrit për ta sjellë në Milano.
Por në Itali është shfaqur një tjetër pistë për zikaltrit dhe ai është Jan Vertonghen. Një mbrojtës 32-vjeçar dhe me një eksperiencë të gjatë në Europë ku ka luajtur për ekipe të mëdha. E më e rëndësishmja nga të gjitha mund të vijë me kosto 0. Nëse për Kumbullën nevojiten të paktën 20 milionë euro për ta veshur zikaltër, Vertonghenit i përfundon kontrata në verë, duke ulur kështu shpenzimet nga arka e Interit.
Për ta bindur ka hyrë në punë Romelu Lukaku, i cili mbron së bashku me mbrojtësin e Tottenhamit ngjyrat e Kombëtares së Belgjikës dhe në një farë mënyre futet “mik” për të mbyllur këtë operacion me sukses. Gjithashtu transferimet nga Premier League janë bërë diçka e lehtë kohët e fundit për Interin, teksa ka sjellë prej andej në Milano futbollistë si Lukaku, Young, Moses, Eriksen. Kështu miqësia e Lukakut me Vertonghenin dhe çështja e financave mund t’i prishë punë Marash Kumbullës, që do të humbte shansin të luante për një ekip si Interi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/