Simon Marciniaku ka qenë në qendër të vëmendjes pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut. Vendimi i tij për të ndalur lojën për pozicion jashtë loje, në kundërshtim me rregulloren, i mohoi bavarezëve golin e barazimit. Kjo shkaktoi polemika të mëdha, aq sa në media u përfol se arbitrit polak do t’i hiqej e drejta për të gjykuar ndeshjen hapëse të Kampionatin Europian.
“Sipas rrjedhjeve të para (të informacionit), Marciniaku supozohej të ishte arbitri kryesor i ndeshjes hapëse, mes Gjermanisë dhe Skocisë…”, ka shkruar media “TVP Sport” në “Twitter”. Një postim që ka marrë edhe reagimin e Bonjekut.
Drejtuesi i UEFA-s ka shkruar në llogarinë e tij zyrtare në “Twitter” se një informacion i tillë është i pavërtetë, duke nënkuptuar kështu se Marciniaku do të gjykojë ndeshjen hapëse të Euro 2024. “Rrjedhe m***. Kush i shet këto budallallëqe? Ju lutem, mos i gëlltisni këto lloj gënjeshtrash”, ka shkruar Zbigniev Bonjeku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/