“Kush tha se Shqipëria ishte favorite për vendin e parë?” Reja nuk gjen dot shpjegim te goli i parë: Nuk e pëson asnjë ekip që quhet normal

Shqipëria ka humbur me shifrat 1-2 ndaj Israelit. Një humbje që dhemb shumë te kuqezinjtë, teksa fitorja ishte detyrim për ne. Pavarësisht se kaluam të parët në avantazh me Brojën, nuk arritëm që t’ia dilnim duke u përmbysur nga kundërshtari. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve të takimit për Supersport:

Reja: “Në pjesën e parë ishim shumë mirë. Kishim agresivitetin e duhur. Përse duhet t’i dhurojmë kundërshtarëve mundësinë? Te goli i parë ishte vetëm Veseli dhe Gjimshiti prapa, të gjithë të tjerët kishin shkuar përpara. Por kjo nuk mund të ndodhi, nuk mund të ndodhi kur je 1-0. E pësuam golin në kundërsulm. Ne dolëm shumë para dhe ishte pikërisht ajo që Israeli priste. Ia falëm golin Israelit në një pjatë argjendi. Ishin tre veta të tyre kundër dy lojtarëve tanë. Nuk mund të vraposh vetëm përpara, duhet të vlerësosh cilësitë e kundërshtarit. Padyshim që një ekip normal nuk e pëson atë gol si ne në të parin. Kush tha se Shqipëria ishte favorit për të fituar vendin e parë? Nga media shqiptare? Nuk mund të themi se jemi favorit ne. Ata që e kuptojnë futbollin e dinë sesa i fortë është Israeli. Ne duhet të jemi të përulur, me këmbë në tokë dhe modest”.

Luan Pinari i tregon defektin Armando Brojës: “Difekti i vetëm i Armando Brojës është se kur merr tre mbrojtës me vete, lë hapësirë për shokët e ekipit. Në atë moment duhet ta pasosh topin gjithmonë pasi shokët e ekipit janë në pozicion më të mirë”.

Kristjan Asllani: “E di që nuk kam luajtur mirë sot, e di edhe vetë. Nuk isha në pozitën më të mirë timen aty, hasa shumë vështirësi. Megjithatë duhet të ecim përpara dhe të vazhdojmë që të punojmë. Ku mund të luajë më mirë? E di trajneri se në çfarë roli më vendos, ne jemi të gjithë pas trajnerit”.

Armando Broja: “Nuk është gjithmonë goli me rëndësi. Duhet të luash mirë dhe të fitosh. Ne kemi humbur. Është një gjë që ne duhet të fokusohemi si grup. Duhet të ishim të përqendruar për të fituar ndeshjen. Kur jam në fushë, unë shikoj gjithmonë hapësirat boshe që të futem. Lojtar i madh bëhesh kur bën gabime dhe vazhdon sërish. Bëra gabime sot dhe humbëm ndeshjen”.

Nedim Bajrami: “Duhet të jemi më të zgjuar për të shënuar para portës kundërshtare ato rastet tona. E nisëm mirë, por pësuam dy gola të shpejtë. Nuk kemi luajtur keq si ekip. Pse u zëvendësova? Nuk e di se përse u hoqa nga trajneri, ishte vendimi i tij. Unë isha gati për ta vazhduar ndeshjen”.

Elseid Hysaj: “Mendova se ishte pozicion jashtë loje ai goli i parë. Nuk arritëm dot që ta ndalonim kundërshtarin. Këtë humbje duhet ta marrim si një mësim, të tre ekipet janë aty dhe nuk do të dihet deri në fund se kush do të dali i pari. Po gabojmë gjithmonë dhe kjo po na ndëshkon. Nuk po arrijmë që t’i japim kënaqësinë tifozëve. Ne e kishim në dorë ndeshjen dhe duhej të vendoseshim mirë në fushë. Na gjetën në moment kur ishim shumë të hapur te goli i parë, e pashë dhe unë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *