Kush po ia shtron rrugën Tiranës? Gjenden dy “fajtorët”, Gentian Muça dhe…”Zoti” Egbo

Tirana është duke përjetuar një moment fantastik në Superiore, teksa numëron 8 fitore radhazi. Kjo situatë e bardhebluve ka sjellë edhe polemika, ndërsa Suad Lici akuzoi duke thënë se Tiranës po ia shtrojnë rrugën arbitrat.

Por përtej të gjitha akuzave që në Shqipëri janë kthyer në rutinë dhe të pabazuara, kush po ia shtron rrugën Tiranës? Këtu nuk ka vend për dyshime, “fajtorët” kryesorë janë Egbo dhe Muça.

Trajneri që e ka gjithmonë një dorë nga lart, ndërsa nuk harron asnjëherë që të kujtojë Zotin. Në momentet më të vështira dhe të mira, aqsa e stërpërsëritur për shumëkënd mund të kthehet edhe qesharake. Por fakti është se deri tani, në minutat e fundit dhe kur dukej se Tirana do të linte pikët, është marrë fitorja. Flasim këtu për ndeshjet ndaj Partizanit, Bylisit dhe Vllaznisë.

Mjafton një kërkim i thjeshtë edhe në profilin e Egbos në “Facebook”, ndërsa shihet qartë lidhja që ka me besimin: “Zoti të ka dhuruar ty sot 86.400 sekonda. A i ke thënë faleminderit?”. Lumturia është kthyer në krahun e kësaj skuadre dhe për herë të parë, nuk po dëgjojmë polemika mes lojtarëve me cilësi të lartë, që përfundojnë edhe në stol te Tirana.

Për herë të parë shohim në fotot e shumta të gëzimit pas ndeshjes, që trajneri nuk shihet askund, por qendron diku në mes të lojtarëve, për të mos marrë protagonizmin. E këtu nuk mund të harrojmë rikthimin e kapiten Gentian Muçës. Ky i fundit po kap një super formë pas shumë vështirësive që ka kaluar në karrierë, ndërsa duhet të theksohet se me të në formacion të parë, Tirana e ka rregulluar dukshëm pjesën e prapavijës. Atëherë, kur ka merita dhe pjesë pozitive, përse gjithmonë duhet të merremi dhe krijojmë anët e errëta? Arbitrat kanë qenë po këta dhe kur në stol ishte Mema me Ahmatajn, por Tirana endej në një krizë të madhe rezultatesh dhe nuk po e ngrinte lehtë kokën. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *