Nga Klaudio Ndreca
Për dy ditë politika është kthyer sërish dhe është ulur këmbëkryq në tavolinat e shqiptarëve. Koha e ka treguar se askush nuk punon për interesin tonë dhe e parë në këtë këndvështrim, pak ka rëndësi se kush do të na qeverisë në katër vitet e ardhshme, qofshin këto zgjedhje lokale apo të përgjithshme.
Të njëjtë persona, të njëjtat qëllime, me fytyra të ndryshme. Kjo shpjegon fare mirë numrin e paktë të votuesve, me rininë që është e para që i thotë “JO” politikës. Për fat të mirë, e gjitha kjo situatë e krijuar do të harrohet në fare pak orë.
Diskutimet e shqiptarëve do të jenë më pak stresuese, më emocionuese dhe do t’i kthehen futbollit. Kush do ta marrë Tiranën, Tirana apo Partizani? Kjo nuk është vendosur ende. Kush do ta marrë Milanon, Milani apo Interi? “Sondazhet” nxjerrin fitues Interin, por fusha e blertë ka treguar se nuk duhet t’i besohet shumë atyre, pasi në jo pak herë ka përmbysje.
Në fillim shqiptarët do të përjetojnë emocionet e gjysmëfinales së Champions League mes Inter-Milan, më pas të derbit Tirana-Partizani, pa harruar edhe përballjen Manchester City-Real Madrid. Të tjerë mund të thonë: “Si mund të jetë më e rëndësishme për ju një Tirana-Partizani apo Milan-Inter para zgjedhjeve?”. Nëse dikush nuk mendon për ty, është po aq e mirë dhe e këshillueshme që ti të mos mendosh për ta. Larg streseve dhe problemeve të të tjerëve, kurrë më mbrapa, koha për të kthyer emocionet positive, ato të futbollit. /Sport Ekspres/