“Kur thashë që mendoj për lart, sikur më gjuajtën me gur”, Martini synon 4-shen: E kam tentuar edhe pas humbjeve, e jo më tani

Java e 28 e “Abissnet Superiores” ka sjellë befasi të mëdha mbrëmjen e sotme. Pas shumë viteve në krye të renditjes, Egnatia rrezikon për herë të parë kryesimin e tabelës. Skënderbeu ka mposhtur rrogozhinasit me rezultatin 2-0. Ndeshja u vendos nga dy golat e shënuar nga Frenklini, përkatësisht në minutat 20 dhe 40. Tashmë diferenca mes Egnatias dhe Vllaznisë është vetëm 2 pikë, por shkodranët kanë një ndeshje më tepër në dispozicion për të zhvilluar.

Ndërkaq, fatin e rrogozhinasve e patën edhe kampionët në fuqi të Superiores. Partizani u largua kokëulur nga “Niko Dovana”. Teuta mposhti të kuqtë me rezultatin minimal 1-0. Ishte Peposhi ai që i dha fitoren bregdetarëve me golin e tij të shënuar në minutën e 67. Pas përfundimit të dy ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë përshtypjet e tyre të parë për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Martini (Teuta): “Ishte shumë e rëndësishme, sidomos pas eliminimit në Kupë. Të eliminohesh ashtu si u eliminuam ndaj Tiranës ishte e pafalshme. Jemi munduar ta qetësojmë ekipin. Me Partizanin e e kemi përgatitur mjaft mirë ndeshjen. Minutat e fundit na janë bërë gangrenë. Mezi prisja të bëhej goli i dytë dhe të qetësoheshim. Ne këta jemi. Rëndësi kemi të bëjmë lojëra të mira dhe të shkojmë në fund të kampionatit kështu si jemi. Nuk kemi pse të qahemi më. S’dua të them që dua të mendoj për lart, sepse atëherë kur e kam thënë, sikur më kanë gjuajtur me gur. Kështu që do të shikojmë ndeshje pas ndeshje, hap pas hapi. Unë edhe kur humbja e kam thënë që e tentoj 4-shen, jo më tani pas fitores. Nuk dua t’i vë djemtë në presion. Nuk shoh asgjë ndryshim mes Tetutës sime dhe Partizanit”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/