“Kur pësoi Barcelona 8 gola në Champions”, trajnerët e Lituanisë: Nuk na intereson çfarë bënë shqiptarët

0

Nga Klaudio Ndreca

Lituania shpërtheu në festë pas ndeshjes në “Air Albania” pasi kjo Kombëtare mori fitoren e parë pas 4 vitesh, në përballjen ndaj Shqipërisë. Një sinjal pozitiv dhe shenjë shprese duket ky rezultat për lituanët, që duan të lënë pas shpinës periudhën e errët.

Por çfarë menduan ish-trajnerët e Lituanisë për fitoren që u arrit në Shqipëri? Aligmantas Liunbikskas, që dikur ka drejtuar këtë Kombëtare, është shprehur se nuk ka nevojë për të bërë një sensacion të madh për këtë fitore, ndërsa sjell në vëmendje edhe disfatën e Barcelonës në “Champions League”.

“Ne thjeshtë i treguam vetes tonë se mund të mbërrijmë te fitorja. Nuk ka fraza të nevojshme dhe kuptimplota që duhet t’i përdorim këtu, ishte një fitore e këndshme, por jo sensacion. Shqipëria ishte e vdekur në fushë. Ne ishim shumë mirë të përgatitur dhe dominuam fushën. Kemi pritur katër vite pa fitore. Tani është plot me akademi te ne dhe aty i pranojnë të gjithë, mbipeshët dhe ata me probleme.

Ndoshta tingëllon keq, por kështu është. Mblidhen fëmijët e prindërve që kanë para. Edhe nëse shfaqen disa fëmijë të talentuar, zbehen në një mjedis që luan dobët. Duhet të ekzistojë një sistem që rrit fëmijët dhe jo kuletat e akademisë. Nga ana tjetër, futbolli është aq i bukur pasi çdokush mund të fitojë ndaj kujtdo. Në fund të fundit, Barcelona humbi me tetë gola në Ligën e Kampionëve”, u shpreh trajneri.

Por në Lituani ia zbehën disi festën tifozëve vetë mediat, teksa treguan se Shqipëria kishte nënvlerësuar shumë me këtë ndeshje, aq sa ishte bërë dasma e Odise Roshit vetëm 24 orë përpara ndeshjes. Në të kanë qenë prezent edhe disa futbollistë të Shqipërisë, por për ish-trajnerin tjetër të Lituanisë, Edgaras Jankuaskas, kjo nuk duhet të diskutohet.

“Askujt nuk i intereson se çfarë bënë shqiptarët dhe çfarë festuan ata. Në këtë nivel, askush nuk do të humbas, të gjithë luftojnë. Telashet janë për veten e tyre nëse nuk paskan qenë gati për ndeshjen”, u shpreh Jankuaskas. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.